Kërko

Vatican News

Ndjeti i Papës për dhjetorin: lutja mund ta ndryshojë realitetin e zemrën

Në muajin dhjetor, që sapo filloi, Papa Françesku na nxit të lutemi që “marrëdhëniet tona personale me Jezu Krishtin të ushqehen nga Fjala e Zotit dhe nga lutja”

R.SH. - Vatikan

Mund ta ndryshojë realitetin dhe zemrën, ta shndërrojë jetën dhe mënyrën tonë për t’iu afruar Atit Qiellor. Kjo është lutja, që këtë muaj është në qendër të ndjetit të Papës Françesku, i cili u bë i njohur sot. Lutja, pohon Ati i Shenjtë, është “zemra e misionit të Kishës”, “çelësi për të hyrë në dialog me Zotin. Sa herë që lexojmë një pjesë të vogël nga Ungjilli, dëgjojmë Jezusin, që na flet. Flasim me Jezusin. E dëgjojmë Jezusin dhe i përgjigjemi. Kjo është lutja”. “Duke u lutur - thekson Françesku - ne e ndryshojmë realitetin. E, ndryshojmë edhe zemrat tona. Zemra jonë ndryshon kur lutemi. Mund të bëjmë shumë gjëra, por pa lutje nuk funksionojnë.

Të lutemi që marrëdhëniet tona personale me Jezu Krishtin të ushqehen nga Fjala e Zotit dhe nga një jetë plot lutje”. Ndjetin e tij, si zakonisht, Papa e njofton përmes një videomesazhi, që përhapet në gjithë botën nga Rrjeti Ndërkombëtar i Lutjes së Papës. Videoja e këtij muaji, që mbyll edhe vitin 2020, karakterizuar nga vështirësitë e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, është pikërisht ftesë për lutje e përfundon me fjalët, që Ati i Shenjtë i pati thënë më 28 qershor 2019, gjatë takimit me Rrjetin Botëror të Lutjeve. “Në heshtje - kërkon Papa Françesku - të gjithë, secili, të lutet me zemër”.

Lutja në kohë pandemie

 Ndjeti i lutjes për muajin dhjetor përkon me fillimin e Kohës së Ardhjes, që na çon drejt Krishtlindjes. Edhe ajo do të kremtohet me masa të veçanta sigurie, për shkak të pandemisë. Papa Françesku është lutur shpesh për botën e sprovuar nga koronavirusi. Më 27 marsin e kaluar, në atë ngjitje të vështirë drejt kryqit, në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit - çast i paharruar për të gjithë - Papa pati theksuar: “Para vuajtjeve zbulojmë dhe përjetojmë lutjen meshtarake të Jezusit: ‘që të gjithë të jenë një’ (Gjn 17,21). Sa njerëz jetojnë me durim çdo ditë, duke dikuar shpresë e duke u kujdesur që të mos mbillet panik, por bashkë-përgjegjësi.

Sa baballarë, nëna, gjyshër dhe gjyshe, sa mësues u tregojnë fëmijëve, me gjeste të vogla e të përditshme, si ta përballojnë dhe si ta kalojnë këtë krizë, duke ia përshtatur jetën, duke e lartuar vështrimin për të nxitur lutjen. Sa njerëz luten, ofrojnë dhe ndërmjetësojnë për të mirën e të gjithëve. Lutja dhe shërbimi i heshtur: këto janë armët me të cilat do të fitojmë”. Në atë rast, lutja e Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit fshikulluar nga shiu, u bë një me fuguren e Zojës “Salus populi romani” dhe me kryqin e drunjtë të kishës së Shën Marçelit, që e mbrojti Romën nga “murtaja e madhe” në vitet 1600.

Koha e shpresës

Kisha ndjek rrjedhën e kohës përmes kremtimit të ngjarjeve kryesore në jetën e Jezu Krishtit dhe në historinë e shëlbimit të njerëzimit. Të dielën, filloi viti i ri liturgjik, filloi Koha e Ardhjes. “Na përgatit për Krishtlindje… - tha Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot të 29 nëntorit - është kohë pritjeje, është kohë shprese”. “Ardhja është thirrje e vazhdueshme për shpresë: ajo na kujton se Zoti është i pranishëm në histori për ta çuar atë drejt cakut të saj përfundimtar, për ta çuar drejt plotësisë, që është Zoti, Zoti ynë Jezu Krisht”. “Për një të krishterë, takimi i vazhdueshëm me Zotin është gjëja më e rëndësishme”. Krishti, kujtoi atëherë Ati i Shenjtë, troket çdo ditë “në portën e zemrës sonë”. Papa na nxiti ta “dëgjojmë Zotin që troket”, pasi Ai i Lumi na ndihmon dhe na çliron nga kërcënimet.

Dëgjimi i Zotit në lutje është baza e takimit me Hyjin. Marrëdhëniet personale me Jezu Krishtin, siç shpreson Françesku në ndjetin e lutjes për muajin dhjetor, duhet të ushqehen gjithmonë me Fjalën e Zotit dhe me lutjen. Për këtë kohë pritjeje dhe shprese, në situatën e vështirë të pandemisë, Papa, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës, këshilloi tri gjëra, “që do të na ndihmojnë shumë”: “përkorjen më të madhe, vëmendjen plot takt e respekt për fqinjët, që mund të kenë nevojë për ndihmë e, pastaj, tepër e rëndësishme, disa çaste lutjeje familjare me thjeshtësi”.

01 dhjetor 2020, 17:01