Kërko

Lutja e Engjllit të Tënzot Lutja e Engjllit të Tënzot 

Papa: Zoti nuk të zhgënjen kurrë, ta dëgjojmë kur na troket ndër zemra!

“Sot, e Diela e parë e Kohës së Ardhjes, nis një vit i ri liturgjik”. Me të Kisha mat rrjedhën e kohës, me kremtimet e ngjarjeve kryesore të jetës së Jezusit e të historisë së shëlbimit. Këtë theksoi Papa nga dritarja e Engjëllit. E, pas Engjëllit, kujtoi tri gjëra, që duhen pasur parasysh për Krishtlindje: “Më shumë përkorje, më shumë vëmendje për të afërmit nevojtarë e edhe ndonjë çast lutjeje në familje”.

R. SH. - Vatikan

Për  të krishterin gjëja më e rëndësishme është takimi i vazhdueshëm me Zotin. Jezusi na troket çdo ditë “në portën e zemrës”. Këtë theksoi Papa në lutjen e   Engjëllit të Tënzot , duke kujtuar se liturgjia e sotme  na fton ta jetojmë kohën e parë të fortë të vitit liturgjik, atë të Ardhjes, që na përgatit për Krishtlindjen, kohë pritjeje e shprese.

“Sot, e diela e parë e Kohës së Ardhjes, nis një vit i ri liturgjik”- Këto, pra, ishin fjalët e para që Papa ua drejtoi besimtarëve në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja e Bibliotekës së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit, duke u kujtuar, më pas, se me të Kisha  mat  rrjedhën e kohës, me kremtimet e ngjarjeve kryesore të jetës së Jezusit e të historisë së shëlbimit. Duke bërë kështu, si Nënë, na e ndriçon rrugën e jetës sonë, na mbështet në shqetësimet e përditshme e na orienton kah takimi i fundmë me Krishtin. Më pas Françesku u kujtoi besimtarëve se liturgjia e sotme na fton ta jetojmë “kohën e fortë”, të vitit liturgjik.

Jezusi na jep hirin për t’i bërë mirë vetes e të tjerëve

Në Kohën e Ardhjes, që na përgatit për Krishlindjen, si kohë pritjeje e shprese, Shën Pali na tregon pikërisht pse presim e, sidomos, Kë! E bën këtë duke i ftuar të krishterët e Korinthit, e edhe ne, për ta përqendruar  vëmendjen tek takimi me Vetjen e Jezusit, që do të vijë në fund të botës, por që vjen çdo ditë, në mënyrë që, me hirin e Tij, të mund të bëjmë  mirë në jetën tonë e edhe në atë të të tjerëve.

Zoti ynë është Zot-që-vjen

Zoti ynë është Zot-që-vjen: Ai nuk e zhgënjen pritjen tonë! Erdhi në një çast të caktuar historik e u bë njeri, për të marrë mbi vete mëkatet tona; do të vijë edhe në mbarim  të kohëve si gjykatës universal; e vjen çdo ditë për ta vizituar popullin e vet, për të vizituar çdo burrë e çdo grua, që e mirëpret në Fjalën e Tij në Sakramentet, në vëllezërit e motrat.

Dritë-hijet e jetës

E dimë se jeta është plot me të përpjeta e të tatëpjeta, me dritë e me hije. Secili prej nesh ka çaste dëshpërimi, dështimi, përhumbjeje. Situata që po jetojmë,  përballë pandemisë, na krijon jo pak shqetësime, frikë, pakënaqësi: rrezikohemi të biem në pesimizëm, të mbyllemi në vetvete, të rrimë duarkryq. Si duhet të reagojmë nga gjithë ky rrezik – pyeti Papa - për të na këshilluar, më pas, me fjalët e Psalmistit: “Shpirti ynë pret Zotin: ai është ndihma jonë e mburoja jonë. Në të na gazmon zemra”.

Pritja  besimplote e Zotit na jep ngushëllim e guxim në çastet më të errëta të jetës. Po nga se lind gjithë ky guxim - pyeti Papa në vijim të lutjes mariane - Lind nga shpresa - kujtoi sakaq.

Koha e ardhjes, kohë shprese

Koha e Ardhjes është kohë që na kujton vazhdimisht shpresën: na kujton se Zoti është i pranishëm në historinë e njerëzimit, është “Zot me ne”, ecën përkrah nesh për të na ndihmuar. Zoti nuk na braktis kurrë; na shoqëron në të gjitha ngjarjet e jetës, për të na ndihmuar ta zbulojmë domethënien e udhës, kuptimin e së përditshmes, për të na dhënë guxim në prova e në dhimbje.

Në mes të stuhisë, shikojmë  Dorën e Zotit

Në mes të stuhive të jetës, Zoti na e shtrin gjithnjë dorën e na çliron nga kërcënimet e kësaj bote, që  vijnë nga të katër anët. Na takon ne të kapemi pas kësaj dore, për të mos u rrokullisur në hon e për të qenë “të fortë në fund të fundit, të paqortueshëm në Ditën e Zotit”.

Zoja i shoqëroftë ditët tona

Në përfundim të Engjëllit, Papa i drejtoi, si zakonisht, sytë kah Zoja e Bekuar, të cilën sot e quajti “Gruaja e pritjes” e iu lut të na i shoqërojë hapat tanë në këtë vit liturgjik, që po fillojmë e të na ndihmojë ta realizojmë si dishepuj të Jezusit, detyrën të cilën na e kujton Shën Pjetri Apostull: “T’i japim arsye shpresës, që është në ne!” .

29 nëntor 2020, 13:05