Kërko

2019.12.05 Inaugurazione albero di Natale e presepe in Piazza San Pietro  2019.12.05 Inaugurazione albero di Natale e presepe in Piazza San Pietro  

Papa, në çaste të vështira “Koha e Ardhjes është shpresë e madhe”

Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku ftoi për t’i kushtuar disa çaste lutjes, të frymëzuar nga javët që na ndajnë nga Krishtlindja

R. SH. - Vatikan

Shpresë në një të vërtetë, që shpëton; në një dritë më të fortë se çdo errësirë; në një udhë që ta shndërron zemrën. Kjo ësht Koha e Ardhjes e Papa, menjëherë pas katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, i kujtoi  Kishës në të katër anët e botës, rëndësinë e periudhës liturgjike, që po fillon.

 “Në këto kohë të vështira për shumëkënd, të përpiqemi ta rizbulojmë shpresën e madhe dhe gëzimin që na dhuron ardhja e Birit të Zotit në botë” - u tha Françesku besimtarëve të gjuhës franceze, ndërsa, duke iu drejtuar atyre të gjuhës italiane, nënvizoi se Solemniteti i Krishtit Mbret i gjithësisë, që sapo e kremtuam, tregon se Jezusi “ na çliroi nga pushteti i errësirës, për të na pranuar në Mbretërinë e Tij e për të na bërë dëshmitarë të besueshëm të së vërtetës shëlbuese”.

Të meditojmë në dritën e Fjalës

Lutjet e solemnitetit të Krishtit Mbret - vijoi akoma Papa, duke iu drejtuar besimtarëve gjermanë - na rikujtojnë “kthimin e Krishtit në fund të kohëve” pa harruar se Krishti vjen “çdo ditë pranë të vegjëlve e nevojtarëve për t’i përgatitur plotësisht për takimin e madh me Të”.

Besimtarëve të gjuhës angleze Françesku u kujtoi se gjatë udhës së katër të dielave të Kohës së Ardhjes, me të cilat nis Viti liturgjik, drita e Krishtit mund t’i “ndriçojë shtigjet tona e ta davaritë errësirën e zemrave tona”.

E me besimtarët e gjuhës spanjolle e plotësoi mozaikun shpirtëror me ftesën që t’i kushtojnë çaste lutjeje Kohës së Ardhjes duke medituar në dritën e Fjalës së Zotit. Kështu Shpirti Shenjt do ta ndriçojë udhën që duhet ndjekur e do ta shndërrojë zemrën, në pritje të Zotit tonë Jezu Krishtit.

Meshët Rorate

Një shembull i dritës, që e mund errësirën, në këtë kuptim, mund ta shikojmë në Meshët “Rorate” - emër që vjen nga fjalët e para të himnit Rorate coeli desuper, “Rigoni o qiej, e retë të reshin si shi të Drejtin”- shkëputur   nga Libri i Izaisë - kushuar së Lumes Mari e kremtuar në agim nën dritën e qirinjve, në pritje të ditës së re. Kjo ishte, në përfundim, përshëndetja  në gjuhën e polakëve, që e nderojnë posaçërisht Marinë në Kishat e tyre.

25 nëntor 2020, 12:58