Papa, në çaste të vështira “Koha e Ardhjes është shpresë e madhe”
R. SH. - Vatikan
Shpresë në një të vërtetë, që shpëton; në një dritë më të fortë se çdo errësirë; në një udhë që ta shndërron zemrën. Kjo ësht Koha e Ardhjes e Papa, menjëherë pas katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, i kujtoi Kishës në të katër anët e botës, rëndësinë e periudhës liturgjike, që po fillon.
“Në këto kohë të vështira për shumëkënd, të përpiqemi ta rizbulojmë shpresën e madhe dhe gëzimin që na dhuron ardhja e Birit të Zotit në botë” - u tha Françesku besimtarëve të gjuhës franceze, ndërsa, duke iu drejtuar atyre të gjuhës italiane, nënvizoi se Solemniteti i Krishtit Mbret i gjithësisë, që sapo e kremtuam, tregon se Jezusi “ na çliroi nga pushteti i errësirës, për të na pranuar në Mbretërinë e Tij e për të na bërë dëshmitarë të besueshëm të së vërtetës shëlbuese”.
Të meditojmë në dritën e Fjalës
Lutjet e solemnitetit të Krishtit Mbret - vijoi akoma Papa, duke iu drejtuar besimtarëve gjermanë - na rikujtojnë “kthimin e Krishtit në fund të kohëve” pa harruar se Krishti vjen “çdo ditë pranë të vegjëlve e nevojtarëve për t’i përgatitur plotësisht për takimin e madh me Të”.
Besimtarëve të gjuhës angleze Françesku u kujtoi se gjatë udhës së katër të dielave të Kohës së Ardhjes, me të cilat nis Viti liturgjik, drita e Krishtit mund t’i “ndriçojë shtigjet tona e ta davaritë errësirën e zemrave tona”.
E me besimtarët e gjuhës spanjolle e plotësoi mozaikun shpirtëror me ftesën që t’i kushtojnë çaste lutjeje Kohës së Ardhjes duke medituar në dritën e Fjalës së Zotit. Kështu Shpirti Shenjt do ta ndriçojë udhën që duhet ndjekur e do ta shndërrojë zemrën, në pritje të Zotit tonë Jezu Krishtit.
Meshët Rorate
Një shembull i dritës, që e mund errësirën, në këtë kuptim, mund ta shikojmë në Meshët “Rorate” - emër që vjen nga fjalët e para të himnit Rorate coeli desuper, “Rigoni o qiej, e retë të reshin si shi të Drejtin”- shkëputur nga Libri i Izaisë - kushuar së Lumes Mari e kremtuar në agim nën dritën e qirinjve, në pritje të ditës së re. Kjo ishte, në përfundim, përshëndetja në gjuhën e polakëve, që e nderojnë posaçërisht Marinë në Kishat e tyre.