Papa kujton shën Gjon Palin II, njeri me përshpirtëri të thellë
R.SH. - Vatikan
Gjatë përshëndetjeve për besimtarët në gjuhën polake, në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku kujtoi shën Gjon Palin II:
“Nesër (22 tetor) – tha ai – kremtojmë përkujtimin liturgjik të shën Gjon Palit II, në vitin jubilar të 100-vjetorit të lindjes. Ai, njeri me përshpirtëri të thellë, çdo ditë kundronte Fytyrën e ndritshme të Zotit në lutjen liturgjike dhe në meditimin e Pslameve. I nxiste edhe të gjithë të krishterët ta fillojnë ditën me lavdet për Zotin, para se të ndërmarrin udhët, jo gjithnjë të lehta, të jetës së përditshme”.
Lutja e bën të frytshëm impenjimin për Ungjillin
Duke pasur parasysh muajin misionar të tetorit, Papa Françesku i nxiti të gjithë të krishterët të ndihen përgjegjës për përhapjen e Mbretërisë së Zotit. “Misioni i parë – u tha besimtarëve gjermanë të pranishëm në audiencë – është lutja, janë marrëdhëniet tona me Zotin, që e bëjnë të frytshëm impenjimin për Ungjillin e për shpëtimin e njerëzve, sidomos të më të varfërve”.