Kërko

Vatican News

Atentati në Managua, Papa i shkruan kardinalit Brenes: “Lutem për ju”

Papa Françesku i dërgon një mesazh të shkruar me dorën e vet, kryeipeshkvit të Managuas, në Nikaragua, për t’u shprehur afërsinë e tij besimtarëve, pas atentatit të 31 korrikut në katedralen e vendit.

R.SH. - Vatikan

“I dashur vëlla, bashkohem me ty në dhimbjen për këtë akt vandal, jam pranë teje dhe popullit tënd. Lutem për të gjithë ju”: kështu i shkruan Papa Françesku, në një mesazh të autografuar, kardinalit Leopoldo José Brenes, kryeipeshkëv i Managuas, në Nikaragua. Vetë kardinali e lexoi dhe e tregoi në video gjatë meshës së kremtuar dje, 2 gusht, në “Ditën e heshtjes dhe të lutjes”, pas atentatit të 31 korrikut kundër katedrales së qytetit. Kujtojmë se një njeri me kapuç hodhi një bombë molotov në kapelën e Gjakut të Krishtit, duke shkaktuar zjarrin, që dogji edhe një kryq të lashtë katër shekuj. “Veprim i turpshëm”, “akt terrorist”: kështu e quan kardinali në homelinë e transmetuar në YouTube, drejtpërdrejt nga shtëpia. Kardinali falënderon Papën për solidaritetin e shprehur të dielën në lutjen e Engjëllit të Tënzot: “Është bukur ta ndiesh afërsinë e Papës si vëlla dhe si mik”, pohon ai, një afërsi që “na përforcon në fe dhe na inkurajon të ecim përpara”.

“Guxim! Asgjë nuk do të na ndajë nga dashuria e Krishtit”

          Kardinali Brenes rendit më pas mesazhet e solidaritetit, me shkrim a me telefon, marrë nga përfaqësues të shumtë të Kishës në botë, duke filluar nga nunci apostolik në Nikaragua, imzot Waldemar Stanislaw Sommertag, deri tek kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Carlos Osoro Sierra, i cili, në një tweet, flet për “sulm kundër demokracisë dhe shprehjes së lirë të besimit”. Afërsi i kanë treguar edhe shumë meshtarë, universitete katolike dhe urdhra fetarë, si jezuitët. “Në këtë çast - thotë kryeipeshkvi i Managuas - Fjala e Zotit është ndihmë dhe ngushëllim”; “sot më shumë se kurrë”, Hyji është “forca jonë”. “Guxim! – bën thirrje kardinali - Armiqtë e Kishës mund t’i shkatërrojnë gjithë imazhet” e shenjta, por “ne kapemi pas Zotit, që na do”, pas “Zotit të mëshirës e të dashurisë”. Kardinali i fton besimtarët ta falin autorin e atentatit, me bindjen se “asgjë nuk do të na ndajë nga dashuria e Krishtit”. E ndërsa vijon solidariteti i gjithë botës, në një njoftim për shtyp, rregulltarët e katedrales lajmërojnë se do ta rindërtojnë kapelën e Gjakut të Krishtit.

Kohët e fundit, janë sulmuar disa kisha në Nikaragua: për shembull, më 29 korrik, disa të panjohur shkaktuan dëme në kapelën e Zojës Ndihmëtare në komunën Nindirí, ndërsa më 27 korrik, në të njëjtin qytet, hodhën poshtë tabernakullin e kapelës së Zojës së Karmelit, në famullinë e Zotit tonë të Veracruz.

03 gusht 2020, 13:50