Kërko

Vatican News
 Katedralja e Managuas Katedralja e Managuas 

Papa pranë Nikaraguas, pas sulmit në Katedrale

Françesku, pas Engjëllit të Tënzot, iu drejtua popullit nikaraguens, për t’i shprehur afërsinë e tij pas atentatit i cili, dy ditë më parë, në Managua, shkatërroi një Kryq të lashtë e shumë të nderuar, që njihej me emrin “Gjaku i Krishtit”.

R. SH. - Vatikan

Menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Françeskut shkoi  tek nikaraguensët. Papa kujtoi me dhimbje të thellë sulmin e së premtes  së kaluar kundër katedrales së Manguas, pa njerëz të plagosur, por me “plagosjen” e rëndë të Kryqit, tek këmbët e të cilit banorët e këtij vendi të munduar, luten prej katër shekujsh. E para këtij kryqi të lashtë, u lut edhe Papa Gjon Pali II, gjatë shtegtimit të tij, më 1996 në Nikaragua, Guatemala, El Salvador e Venezuelë.

Por, t’i ndjekim fjalët e Françeskut:

“Mendoj për popullin e Nikaraguas, që vuan nga atentati i Katedrales së Managuas, ku u dëmtua shumë, gati u shkatërrua Kryqi aq i nderuar i Krishtit, që e shoqëroi dhe e mbësheti gjatë shekujsh jetën e popullit besnik. Të dashur miq nikaraguens, jam pranë jush! Lutem për ju!”

Në Nikaragua, sot ishte ditë lutjeje

Atentat terrorist - e quajti menjëherë kryeipeshkvi i qytetit, imzot Lepoldo Brenes, sulmin kundër katedrales, që e plagosi rëndë bashkësinë katolike nikaraguense. Akt i paramenduar.

Ndërsa fjalët ngushëlluese të Françeskut arritën në një vend, që sot ishte bashkuar, “për një ditë ditë lutjeje e lotësh”.

02 gusht 2020, 13:56