Françesku besimtarëve kinezë: jini të fortë në fe e dëshmitarë të shpresës
R. SH. - Vatikan
“Të bashkohemi shpirtërisht me besimtarët katolikë të Kinës, që sot kremtojnë, me devocion të posaçëm, festën e Së Lumes Mari, Ndihma e të Krishterëve, Pajtore e Kinës, e nderuar në Shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai. T’ia besojmë udhëheqjes dhe mbrojtjes së Nënës sonë Qiellore Barinjtë dhe e besimtarët e Kishës katolike në këtë vend të madh, që të jenë të fortë në fe, të patundur në bashkimin vëllazëror, dëshmitarë gazmorë e nismëtarë të bamirësisë dhe të shpresës”.
Kjo, ftesa e Françeskut në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore.
Përshëndetje e përzemërt katolikëve të Kinës
Më pas, urimi i përzemërt, katolikëve të Kinës:
“Të dashur vëllezër e motra, katolikë të Kinës, dëshiroj t’ju siguroj se Kisha universale, pjesë e pandarë të së cilës jeni, shpreson bashkë me ju e ju mbështet në çastet e provës. Ajo ju shoqëron me lutje për një dikim të ri të Shpirtit Shenjt, që në ju të mund të shkëlqejë drita dhe bukuria e Ungjillit, pushteti i Zotit për shpëtimin e të gjithë atyre, që besojnë”.
Kështu u shpreh Papa, për t’u dhënë, në përfundim, të gjithëve, bekimin e tij apostolik.
Së fundi, Ati i Shenjtë ia besoi Zojës Ndihmëtare të gjithë dishepujt e Zotit si dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të cilët, në këtë kohë të vështirë, në të katër anët e botës, punojnë me pasion e impenjim për paqen, dialogun ndërmjet kombeve, për shërbimin ndaj të varfërve, për mbrojtjen e gjithësisë e për fitoren e njerëzimit mbi çdo sëmundje të korpit, të zemrës e të shpirtit.
Dita e Komunikimeve shoqërore, në përshëndetjet e Papës
Françesku kujtoi, më pas, edhe Ditën e sotme, kushtuar Komunikimeve shoqërore, sivjet me temën e tregimit. Uroi që kjo ngjarje t’i inkurajojë të gjithë të tregojnë e të lexojnë histori, që ndihmojnë për të kuptuar se jemi pjesë e një historie më të madhe nga ne e se mund ta shikojmë plot shpresë të ardhmen, nëse kujdesemi si vëllezër për njëri-tjetrin.
Përshëndetje popullsisë të Tokës së zjarreve
Sot – shtoi në vijim Papa - desha të shkoj në Acerra, për të mbështetur fenë e kësaj popullsie dhe angazhimin e të gjithë atyre, që punojnë për t’iu kundërvënë dramës së ndotjes të të ashtuquajturës Toka e zjarreve.
“Vizita ime u shty, por po i dërgoj ipeshkvit dhe meshtarëve, familjeve dhe mbarë Bashkësisë dioqezane përshëndetjen time, bekimin dhe inkurajimin, në pritje për t’u takuar sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Në përfundim, urimi i zakonshëm: “ Të diel të gëzuar” – e edhe kërkesa, po aq e përhershme: “Mos harroni të luteni për mua!”.