Katolikë kinezë në lutje Katolikë kinezë në lutje 

Françesku besimtarëve kinezë: jini të fortë në fe e dëshmitarë të shpresës

Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa përshëndeti katolikët kinezë, duke kujtuar festën e Së Lumes Virgjërës Mari, Ndihma e të Krishterëve e Pajtore e gjithë Kinës, e nderuar në shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai.

R. SH. - Vatikan

“Të bashkohemi shpirtërisht me besimtarët katolikë të Kinës, që sot kremtojnë, me devocion të posaçëm, festën e Së Lumes Mari, Ndihma e të Krishterëve, Pajtore e Kinës, e nderuar në Shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai. T’ia besojmë udhëheqjes dhe mbrojtjes së Nënës sonë Qiellore Barinjtë dhe e besimtarët e Kishës katolike në këtë vend të madh, që të jenë të fortë në fe, të patundur në bashkimin vëllazëror, dëshmitarë gazmorë e nismëtarë të bamirësisë dhe të shpresës”.

Kjo, ftesa e Françeskut në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore.

Përshëndetje e përzemërt katolikëve të Kinës

Më pas, urimi i përzemërt, katolikëve të Kinës:

“Të dashur vëllezër e motra, katolikë të Kinës, dëshiroj t’ju siguroj se Kisha universale, pjesë e pandarë të së cilës jeni, shpreson bashkë  me ju e ju mbështet në çastet e provës. Ajo ju shoqëron me lutje për një dikim të ri të Shpirtit Shenjt, që në ju të mund të  shkëlqejë drita dhe bukuria e Ungjillit, pushteti i Zotit për shpëtimin e të gjithë atyre, që besojnë”.

Kështu u shpreh Papa, për t’u dhënë, në përfundim, të gjithëve, bekimin e  tij apostolik.

Së fundi, Ati i Shenjtë ia besoi Zojës Ndihmëtare të gjithë dishepujt e Zotit si dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të cilët, në këtë kohë të vështirë, në të katër anët e botës, punojnë me pasion e impenjim për paqen, dialogun ndërmjet kombeve, për shërbimin ndaj të varfërve, për mbrojtjen e gjithësisë e për fitoren e njerëzimit mbi çdo sëmundje të korpit, të zemrës e të shpirtit.

Dita e Komunikimeve shoqërore, në përshëndetjet e Papës

Françesku kujtoi, më pas, edhe Ditën e sotme, kushtuar Komunikimeve shoqërore, sivjet me temën e tregimit. Uroi që kjo ngjarje t’i inkurajojë të gjithë të tregojnë e të lexojnë histori, që ndihmojnë për të kuptuar se jemi pjesë e një historie më të madhe nga ne e se mund ta shikojmë plot shpresë të ardhmen, nëse kujdesemi si vëllezër për njëri-tjetrin.

Përshëndetje popullsisë të Tokës së zjarreve

Sot – shtoi në vijim Papa - desha të shkoj në Acerra, për të mbështetur fenë e kësaj popullsie dhe angazhimin e të gjithë atyre, që punojnë për t’iu kundërvënë dramës së ndotjes të të ashtuquajturës Toka e zjarreve.

“Vizita ime u shty, por po i dërgoj ipeshkvit dhe meshtarëve, familjeve dhe mbarë Bashkësisë dioqezane përshëndetjen time, bekimin dhe inkurajimin, në pritje për t’u takuar sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Në përfundim, urimi i zakonshëm: “ Të diel të gëzuar” – e edhe kërkesa, po aq e përhershme: “Mos harroni të luteni për mua!”.

24 maj 2020, 13:14