Kërko

Vatican News

Papa: Shën Katerina nga Siena e mbrojtët Italinë dhe Evropën nga pandemia

Gjatë përshëndetjeve, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku iu lut bashkëpajtores së Kontinentit të Vjetër për njerëzit që mbetën pa punë. Në vijim përsëriti ftesën për ta thënë Rruzaren gjatë majit, që Zoja të na ndihmojë të marrë fund kjo krizë pa fund.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të katekizmit, Papa kujtoi edhe një herë se sot Kisha kremton festën e Shën Katerinës nga Siena, doktore e Kishës dhe Bashkëpajtore e Italisë dhe e Evropës, duke i kërkuar mbrojtjen e saj. E Shenjtoren e Madhe Papa e kujtoi edhe gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, para audiencës.

Papa i lutet Shën Katerinës për Evropën, që të jetë e bashkuar e vëllazërore

Gjatë përshëndetjeve në gjuhën italiane, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Ati i Shenjtë nënvizoi, posaçërisht, shembullin e kësaj gruaje të re e guximtare që, ndonëse analfabete, u drejtoi një mori thirrjesh autoriteteve civile dhe fetare, duke i nxitur e edhe duke i ftuar shpesh  të mos rrinë dyarkryq, por të veprojnë për t’i zgjidhur problemet shqetësuese të epokës. Ndërmjet tyre, edhe paqësimi i Italisë si dhe rikthimi i Papës nga Avinjoni i Francës, në Romë. Shën Katerina pati një ndikim të fuqishëm mbi jetën  civile, edhe në nivelet më të larta të vendit e të Kishës:

“Kjo grua e madhe e mori nga bashkimi i plotë me Jezusin guximin për të vepruar e atë shpresë të pashterrshme, që e ndihmoi të vijonte impenjimin edhe në orët më të vështira, edhe kur gjithçka dukej e humbur, edhe kur pengohej në çdo hap. Ishte Krishti ai, që e ndihmoi të ndikonte mbi të tjerët, edhe mbi prijësit më të lartë civilë e kishtarë, me forcën e pathyeshme të  fesë së saj”.

Shembulli i Shën Katerinës - u lut Papa - na ndihmoftë të dimë ta bashkojmë koherencën e krishterë, me dashurinë për Kishën e me angazhimin për shoqërinë civile, posaçërisht në këtë kohë prove.

I lutem Shën Katerinës - tha në vijim Papa - ta mbrojë Italinë gjatë kësaj pandemie e ta mbrojë edhe Evropën, sepse është Pajtorja e saj. Ta mbrojë mbarë Evropën - ritheksoi Ati i Shenjtë - që të mbetet gjithnjë e bashkuar!

Zoti, Provani e të gjithë nevojtarëve të pandemisë

Më pas Papa kujtoi edhe festën e Shën Jozefit punëtor, ndërsa përshëndeste besimtarët e gjuhës franceze:

“Përmes ndërmjetësimit të Tij - pohoi -  ia besoj mëshirës së Zotit të gjithë njerëzit, që  humbën punën për shkak të pandemisë. Zoti vetë qoftë Provania e të gjithë nevojtarëve e na inkurajoftë për t’i ndihmuar”.

Rruzarja dhe lutja drejtuar Marisë, ndihmë në çaste prove

Papa e ka gjithnjë parasysh dhimbjen e thellë shkaktuar nga Covid-19 e për muajin e majit vë në qendër të vëmendjes Rruzaren. Françesku i nxit të gjithë ta thonë këtë lutje mariane, siç bëri pak ditë më parë me Letrën, kushtuar pikërisht Rruzares. E rikujtoi këtë në përshëndetjen drejtuar besimtarët e gjuhës polake:

“Duke ndjenjur të ngujuar në shtëpi nga shkaku i pandemisë, ta shfrytëzojmë këtë kohë për të rizbuluar bukurinë e Rruzares dhe traditën e funksioneve mariane. Në familje, ose individualisht, lartojini sytë kah Fytyra e Krishtit dhe zemra e Marisë. Ndërmjetësimi i saj amtar ju ndihmoftë për t’i bërë ballë kësaj kohe të jashtëzakonshme prove”.

29 prill 2020, 14:16