Kërko

Vatican News
Papa Françesku thotë Rruzaren Papa Françesku thotë Rruzaren  (Vatican Media)

Papa Françesku na fton të themi Rruzaren. Maria do të na ndihmojë t'i japim fund pandemisë

“Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Nëna Shenjte e Zotit!” Papa Françesku u shkruan një Letër të re besimtarëve për muajin maj, me të cilën u kërkon të thonë Rruzaren në shtëpitë, ku janë detyruar të mbyllen, për shkak të koronavirusit. E u propozon edhe dy lutje mariane, për t’u thënë në fund të saj.

R.SH. - Vatikan

Letër e Papës kushtuar Rruzares, me të cilën Ati i Shenjtë Françesku i fton besimtarët të luten me të gjatë gjithë kësaj periudhe, kur janë të detyruar të rrinë në shtëpi, por veçanërisht gjatë muajit maj, i cili i kushtohet Zojës së Bekuar.

 “Është traditë, në këtë muaj, - shkruan Ati i Shenjtë – të themi Rruzaren në shtëpi, në familje. Përmasë, kjo shtëpiakja, që kufizimet e pandemisë na kanë ‘detyruar’ ta vlerësojmë, edhe nga pikpamja shpirtërore.

Prandaj, mendova t’u propozoj të gjithëve ta rizbulojnë bukurinë e Rruzares në shtëpi, në muajin e majit. Mund të luteni së bashku, ose secili me veten e vet; vendoseni ju, sipas situatës, duke i vlerësuar të dyja mundësitë. Por, gjithsesi, ka një sekret për ta bërë këtë: thjeshtësia; e është e lehtë të gjenden, edhe në internet, skema të mira lutjeje për t’u ndjekur.

 Përveç kësaj, po ju ofroj tekstet e dy lutjeve për Zojën, që mund t’i thoni në përfundim të Rruzares e që unë vetë do t’i them gjatë muajit të majit, në bashkim shpirtëror me ju. Po ia bashkangjis kësaj letre, që të jenë në dispozicion të të gjithëve.

Të dashur vëllezër e motra – e përfundon letrën e tij Papa – kundrimi i përbashkët i fytyrës së Krishtit, me zemrën e Marisë, Nënës sonë, do të na bashkojë edhe më shumë si familje shpirtërore e do të na ndihmojë ta kapërcejmë këtë sprovë. Unë do të lutem për ju, sidomos për më të vuajturit e ju, lutuni për mua. Ju falënderoj e nga zemra, ju bekoj”.

 Pikërisht në festën e shën Markut ungjilltar, Papa Françesku u dha besimtarëve dy lutjet mariane, për të cilat flet në letër. E para është ajo që vetë Ati i Shenjtë regjistroi në video për kremtimin në shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore në Romë, në fillim të pandemisë. Shpesh, edhe ne, e kemi përfunduar emisionin tonë me këtë lutje:

“O Mari,

Ti shndrit gjithnjë në udhët tona,

si shenjë shëlbimi e shprese!

Besojmë në ty, Shëndeti i të sëmurëve.

Në ty, që dhimbjen e Krishtit,

shoqërove me fe të patundur!

Ti, Shpëtimi i popullit romak,

 i  njeh mirë nevojët tona!

 Jemi, prandaj, të sigurt

 se, ashtu si në Kanë të Galilesë,

do  të na e  shndërrosh përsëri

këtë kohë të hidhur prove

në çaste gëzimi e feste!

Ndihmona, o Nënë e Dashurisë Hyjnore,

të ecim në udhën e Atit,

e të bëjmë çka do Krishti,

që mori mbi vete vuajtjet tona,

e u ngarkua me dhimbjet tona,

për të na prirë, me Kryqin në krah,

kah gëzimi i ringjalljes!

Nën mbrojtjen tënde strehë kërkojmë,

o Nëna Shenjte e Zotit!

Mos e përbuz lutjen tonë!  

Lutje e njerëzve në provë!

Çlirona nga çdo rrezik,

O Virgjër e lumnueshme, e bekuar!”

E ja edhe lutja e dytë e Papës Françesku për Zojën:

“Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Nëna Shenjte e Zotit!”.

Në situatën e sotme dramatike, të ngarkuar me vuajtjen e ankthin, që e kapërthyen botën mbarë, vrapojmë drejt Teje, o Nëna e Zotit e Nëna jonë,  e kërkojmë mbrojtje nën strehën tënde.

O Virgjëra Mari, silli sytë e tu të mëshirshëm kah kjo pandemi e koronavirusit e ngushëlloi ata, që janë të zhytur në dëshpërim e lot për të dashurit e vdekur, shpesh të kallur nën dhe në një mënyrë, që ta plagos më keq shpirtin! Mbroji të pushtuarit nga ankthi për njerëzit e sëmurë të cilëve, për të penguar ngjitjen, nuk munden as t’u afrohen. Ngjall shpresë  në zemrën e njeriut të tmerruar përballë ardhmërisë së paqartë dhe pasojave të sëmundjes mbi ekonominë e mbi punën.

O Nëna e Zotit e Nëna jonë, kërko për ne, nga Zoti, Atë i mëshirës, që kjo provë e rëndë të mbarojë e të rikthehet horizonti i shpresës e i paqes. Ashtu si në Kanë, ndërmjetëso pranë Birit tënd Hyjnor, duke i kërkuar t’i ngushëllojë familjet e të sëmurëve e të viktimave e duke ua hapur zemrën, që të mund të besojnë përsëri.

Mbroji mjekët, infermierët, personelin shëndetësor, vullnetarët, që në këtë kohë emergjence janë në vijën e kufirit e vënë në rrezik jetën e vet, për të shpëtuar jetë të tjera. Shoqëroje mundimin e tyre heroik e jepu forcë, mirësi, shëndet!

Ji pranë atyre, që rrinë natë-ditë mbi kokën e të sëmurëve, e pranë meshtarëve që, me kujdes baritor e impenjim ungjillor, përpiqen t’i ndihmojnë e t’i ngushëllojnë të gjithë.

Virgjër Shenjte, shndriti mendjet e  burrave e të grave të shkencës, që të gjejnë rrugëzgjidhje të drejta për ta mundur virusin.

Ndihmoi Drejtuesit e Kombeve të punojnë me urti, zell e bujari, duke i mbështeur ata, të cilët nuk i kanë as gjërat më të domosdoshme, që duhen për të jetuar, duke programuar rrugëzgjidhje shoqërore dhe ekonomike largpamëse e solidare.

O e Shenjtnueshmja Mari, preki ndërgjegjet, që shumat e mëdha të shpenzuara për të shtuar e për të përsosur armatimet, të përdoren për studime, që mundësojnë parandalimin e katastrofave të tilla në të ardhmen.

O Nënë e shumëdashur, bëj që njerëzit ta kuptojnë se i përkasin një familjeje të vetme, me vetëdijem e lidhjes, që i bashkon. E kështu, me shpirtin vëllazëror e solidar, të mund të japim  ndihmesën tonë në situata të shumta varfërie e mjerimi. Inkurajo forcën në fe, durimin në shërbim, ngulmin në lutje!

O Mari, Ngushëlluesja e të munduarve, rroki të gjithë bijtë e tu të trazuar e  lutju Zotit të ndërhyjë me dorën e tij të gjithëpushtetshme për të na liruar nga kjo epidemi e tmerrshme, që kështu jeta të mund të rifillojë qetësisht udhën e vet normale.

Ta besojmë gjithë vetveten Ty, që shndrit në udhën tonë si shenjë shëlbimi e shprese, o ëmbla, o e buta, o e dhimbshmja  Virgjëra Mari! Amen.

25 prill 2020, 12:30