Kërko

Vatican News

Papa përuron "Super Nuns" nё mbështetje tё motrave që luftojnë trafikimin e njerëzve

Në Ditёn ndërkombëtare tё lutjes e reflektimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, nё Vatikan, Papa u takua privatisht me disa anëtarë të rrjetit Talitha Kum dhe Galileo për tё përuruar platformën "Super Nuns" që synon të mbledh fonde për t’i ndihmuar motrat rregulltare qё punojnё për shpëtimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.

R.SH. - Vatikan

Me klikimin e parë, Papa Françesku përuroi sot "Super Nuns", komunitetin në platformën Patreon, menduar për mbledhjen e fondeve pёr t’i ndihmuar viktimat e trafikimit njerëzor dhe për t’i financuar projektet qё kujdesen e  mbështesin kёtё mision. Projekti i përuruar nga Talita Kum - Rrjeti Ndërkombëtar i Jetës së Kushtuar nё mbrojtje tё këtyre njerëzve nga trafikantët -  dhe i sponsorizuar nga Fondacioni Galileo, përfshin partneritetin e artistëve të ndryshëm të rrugës, ndёr tё cilёt Stephen Power, ESPO, artistin amerikan tё grafiteve, e Leij Matsumoto, pionerin e animacionit japonez. Papa Françesku ka bёrё thirrje në mënyrë të përsëritur pёr t’i kushtuar vëmendje kësaj drame tё tmerrshme tё rafikimit tё njerёzve, duke kërkuar edhe nisma e veprime konkrete.

“Të këputen zinxhirët e rëndë” e të ndalet “turpi i padurueshëm” i atyre që akoma sot blejnë e shesin qeniet njerëzore”. Mendimi i Papës shkoi, tek ata, që i ndihmojnë skllevërit e rinj të sotëm për t’i copëtuar zinxhirët e shfrytëzimit e për ta rifituar lirinë dhe dinjitetin e tyre, lidhur edhe me Ditën e lutjes e të reflektimit kundër trafikut të njerëzve, që do të kremtohet sot: “Mendoj posaçërisht për shumë gra e burra, e edhe për shumë fëmijë! Duhet bërë çdo përpjekje e mundshme për ta zhdukur këtë krim e këtë turp të palejueshëm”, tha Papa Bergoglio. 

E sot paradite, Ati i Shenjtё Françesku përshëndeti personalisht të gjithë anëtarët e rrjetit Talitha Kum e Galileo dhe motrёn Gabriella Bottani, Koordinatore Ndërkombëtare e rrjetit Talita Kum, e cila paraqiti e shpjegoi faqen e internetit "Super Nuns". Artisti Stephen FPower i kërkoi Papës të firmosë një kopje të imazhit të parë, tё cilёn ia dhuroi pastaj vetë Atit tё Shenj Françesku. Në përurimin e platformës ishin tё pranishme disa motra rregulltare të Talitka Kum, e cila u krijua me nismën e Bashkimit Ndёrkombёtar tё Eproreve tё Përgjithshme (UISG), e qё 10 vjet nxit edhe bashkëpunimin e shkëmbimin e informacionit ndërmjet rregulltareve e rregulltarёve në 70 vende të botës për të luftuar e çrrënjosur plagën e skllavërisë. Kujtojmë se data e 8 shkurtit përkon me përkujtimin liturgjik të Shën Gjyzepina Bakhita, skllave sudaneze që u bë motër rregulltare kanosiane.

Papa Françesku botoi edhe nё faqen e internetit @Pontifex hashtagun #PrayAgainstTrafficking me një tweet me rastin e Ditës Botërore, në të cilin thotë: "Së bashku kundër trafikimit. Vetëm së bashku mund ta mundim këtë plagë dhe t’i mbrojmë viktimat. Lutja është forca qё e mbështet impenjimin tonё". 

 

08 shkurt 2020, 17:03