Kërko

Vatican News
 Hapja e Vitit Gjyqsor  të Gjykatës Rota Romake Hapja e Vitit Gjyqsor të Gjykatës Rota Romake  (Vatican Media)

Françesku, anëtarëve të Rotës Romake: ruajini çiftet e krishtera!

“Ashtu si Akuila e Prishila, Kisha sot ka nevojë për bashkëshortë të krishterë, që të jenë dëshmitarë të palëkundshëm të Ungjillit”. Këto, fjalët e Papës, që priti sot në Sallën Klementine, gjykatësit dhe avokatët e Gjykatës Apostolike dhe i ftoi barinjtë ta mbrojnë martesën nga ideologjitë dhe partikularizmat.

R. SH. - Vatikan

Bashkëshortë ungjillëzues, gjithnjë në lëvizje e gjithnjë në dëgjim të Shpirtit Shenjt, mësues të afërsisë e të shërbimit falas, dëshmitarë të aftë  për të qenë tharm i jetës. Me këto fjalë e përuroi Françesku Vitin gjyqësor, përballë anëtarëve të Gjykatës Apostolike të Rotës Romake, duke ua paraqitur Akuilën e Prishilën, përshkruar në Veprat e Apostujve, si model i jetës bashkëshortore:

“Për këtë kanë nevojë famullitë tona, posaçërisht në zonat urbane, ku famullitari dhe bashkëpunëtorët e tij klerikë nuk mund të kenë kurrë kohë as forcë për t’i takuar besimtarët që, ndonëse e mbajnë veten si të krishterë, nuk i ndjekin rregullisht sakramentet e nuk e njohin aspak – ose fare pak - Jezu Krishtin”.

Afërsi e bujari

Akuila e Prishila - pohoi Papa - ungjillëzonin  duke qenë mësues të mundimeve për Zotin e për Ungjillin! Mundimeve të zemrës, që nuk mund të shprehen me fjalë boshe, por vetëm me gjeste konkrete afërsie ndaj vëllezërve më nevojtarë, me mikpritje, me kujdes. E këto janë shtyllat e Reformës së Procesit martesor, që dëshiron Papa. E, në këtë pikë, Papa u drejtoi gjyqtarëve një mori pyetjesh. I pyeti nëse janë shpirtërisht pranë  njerëzve, kur i gjykojnë, nëse ua hapin zemrën, pa kurrfarë interesi, apo  shikojnë vetëm  interesat e tyre ekonomike! E, si i shqiptoi këto pyetje,  Papa ngriti zërin sa u tund gjithë  salla, duke u kujtuar të pranishmëve se “Gjykimi i Zotit do të jetë shumë i rreptë kundër gjykatësve të tillë”.

Zgjohuni nga gjumi

Mos i lini bashkëshortët në skajin e baritorisë së krishterë, sepse ajo nuk është baritori e elitës, që e harron popullin, në vend që të jeni barinj,  që e dëgjojnë grigjën e janë gati të rrinë pa gjumë pranë njerëzve në netët e vetmisë, të shqetësimeve, të dështimeve: këtë u kërkoi Papa barinjve, ipeshkvijve, famullitarëve e deri gjykatësve. Ta duan njeriun, si Shën Pali Apostull, e si bëjnë çiftet misionare, të gatshme për të  shkelur në sheshe e pallate, në qytete e katunde, në skaje e skuta, kudo që nuk depërton drita e Krishtit:

“… bashkëshortë të krishterë, që rrinë gjithnjë zgjuar, si bënë Akuila e Prishila,  të aftë për të qenë  njerëz plot me guxim deri në atë pikë, sa t’i zgjojnë nga dremitja e nga gjumi edhe barinjtë, ndoshta sepse tepër të topitur nga filozofia e rretheve të vogla të njerëzve të përkryer. Duke harruar se Zoti erdhi për të kërkuar mëkatarët, jo njerëzit e përsosur”.

Të mbrohet martesa nga idelogjitë!

Barinjve Papa u ngarkoi edhe detyrën  t’i ndriçojnë e t’i prijnë çiftet shenjte të krishtera, t’i venë në pah, t’i mbrojnë nga rreziku e nga rënia në rrjetin e ideologjive, që minojnë forcën e sakramentit:

“Duhet vigjiluar, që të mos bien në rrezikun e partikularizmit, duke  synuar të jetojnë në grupe të zgjedhura; përkundrazi, duhet t’ia hapin zemrën universalitetit të shëlbimit. Duhet  pohuar me forcë se famullia është në vetvete vendi kishtar i kumtimit dhe i dëshmisë, sepse pikërisht në këtë kontekst territorial jetojnë bashkëshortët e krishterë, të denjë për të përhapur dritë, për të qenë dëshmitarë aktivë të bukurisë e të dashurisë bashkëshortore”.

Të kthehemi tek rrënjët

Bota e  sotme duhet të riniset nga rrënjët e krishterimit - ngulmoi Papa - nga kohët, kur Kisha “nuk kishte asnjë pushtet njerëzor, kur ishte e varfër, e përvuajtur, e përshpirtshme, e shtypur, heroike! E duhet rivendosur  paria e Shpirtit Shenjt, autor e forcë lëvizëse e ungjillëzimit që, po të mos i lutemi, mbetet i panjohur e mungues. Papa kërkon, kështu, një Kishë të varfër për të varfërit, një zinxhir çiftesh entuziaste e të dashuruara me Krishtin e Ngjallur, ashtu si Akuila e Prishila, të aftë për revolucionin e ri të dhembshurisë e të dashurisë, që nuk  mbyllen kurrë në vetvete:

“Duhet të jemi të bindur, e do të thosha edhe të sigurt,  se çifte të tilla në Kishë janë dhuratë e Zotit, e jo jona, sepse fryt i Shpirtit Shenjt, i cili nuk e braktis kurrë Kishën e nuk e lë kurrë të shuhet dritën, që  përhapin këto çifte në periferitë e botës”.

Larg tundimit për të qenë Kishë e pakicës

Akuila e Prishila - përfundoi Papa - e jo prozelitizmi, vijojnë të na prekin thellë me dëshminë e tyre e të bëhen tharm jo i izoluar, po tharm që vdes, për të tharë brumin, me bindjen se Kisha nuk mund t’u përkasë vetëm pak njerëzve. Prej këndej, edhe thirrja e fundit e Papës, drejtuar gjykatësve:

“Të dashur Gjykatës të Rotës Romake…Nuk duhet të harroni kurrë se Kisha ka nevojë për çifte bashkëshortësh të krishterë si Akuila e Prishila, të cilët flasin e jetojnë me autoritetin e Pagëzimit, që nuk di të komandojë, për t’u dëgjuar, por duke qenë koherentë, dëshmitarë, e për këtë, edhe shokë udhe të vetë Zotit”.

25 janar 2020, 16:53