Në audiencë tek Papa, kryeministri i Malit të Zi Duško Marković
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku priti në audiencë Duško Marković, kryeministër i Malit të Zi, i cili më pas u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.
Gjatë bisedimeve - sipas një komunikate të Sallës vatikanase të Shtypit, u fol për marrëdhëniet e mira dypalëshe, me urimin që të forcohen më tutje. U vu në dukje, në mënyrë të posaçme, vlera e bashkëjetesës së harmonishme ndëretnike e ndërfetare, që karakterizon identitetin mijëravjeçar malazez.
Së fundi, u shkëmbyen mendime mbi disa tema me karakter ndërkombëtar, kryesisht mbi ardhmërinë e projektit evropian, mbi sfidat aktuale rajonale dhe fenomenin migrator.