Kërko

Vatican News

Papa, Takimit për Klimën në Nju Jork: “duhet ndershmëri, përgjegjësi dhe guxim”

“Ndershmëri, përgjegjësi dhe guxim”: në një videomesazh për “Climate Action Summit” në Nju Jork, Papa Françesku u kërkon krerëve të shteteve dhe të qeverive të ndryshojnë qëndrim ndaj çështjeve klimatike.

R.SH. - Vatikan

“Është një nga sfidat kryesore, që duhet të përballojmë, prandaj njerëzimi është i thirrur të kultivojë tre virtyte të mëdha morale: ndershmërinë, përgjegjësinë dhe guximin”. Papa Françesku i përshëndet me këto fjalë pjesëmarrësit në Takimin  e OKB-së për Klimën, që u hap sot në Nju Jork. Në videomesazhin e tij (që u paraqit i shkurtuar në OKB), Ati i Shenjtë e lidh ngushtë problemin e pasojave të ndryshimeve të klimës me etikën, barazinë dhe drejtësinë shoqërore. 

Propozime konkrete e jo vetëm deklarata

         “Climate Action Summit”, takim i krerëve të shteteve e të qeverive botërore, organizuar në kuadrin e asamblesë së përgjithshme të OKB-së, me këmbënguljen e sekretarit të përgjithshëm, Antonio Guterres, duhet të diskutojë mbi përpjekjet e çdo shteti për të zvogëluar emetimet e dioksidit të karbonit në atmosferë dhe për të mbrojtur natyrën. E gjithë kjo, në përgatitje të Konferencës së 25-të Botërore mbi klimën, që do të mbahet në dhjetor në Kili. Guterres i ka kërkuar çdo vendi të paraqesë propozime konkrete e jo vetëm qëllime të mira.

Brenda vitit 2030, emetimi i dioksidit të karbonit duhet zvogëluar me 45%

         Në videomesazhin e tij, që vjen menjëherë pas mobilizimit të të rinjve me në krye norvegjezen Greta Thunberg, Papa Françesku përmend Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015, objektivat e së cilës akoma janë larg realizimit. Është për t’u pyetur nëse ekziston vullneti politik për t’i zgjidhur çështjet klimatike, nënvizon Ati i Shenjtë. Duhet reduktuar me 45% emetimi i dioksidit të karbonit brenda vitit 2030, duhen bllokuar centralet, që përdorin qymyr dhe, nuk duhet financuar më prodhimi i energjisë nga lëndët djegëse fosile.

Papa: akoma jemi në kohë për ndryshime

         “Megjithëse gjendja nuk është e mirë dhe planeti vuan, - ngre zërin Papa në videomesazhin për OKB-në - dritarja e mundësive është ende e hapur. Ende. Jemi akoma në kohë. Të mos e lëmë të mbyllet. Le ta hapim me impenjimin tonë për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, për t’u siguruar brezave të ardhshëm një jetë më të mirë. E ardhmja është e tyre, jo e jona. ‘Ndërsa njerëzimi i periudhës pas-industriale mbase do të mbahet mend si një nga më të papërgjegjshmit në histori, - citon Françesku enciklikën ‘Laudato si’’ – duhet të shpresojmë që njerëzimi i fillimshekullit të 21-të të kujtohet për faktin se ka marrë përsipër bujarisht përgjegjësitë e tij të rënda”.

Të reflektojmë mbi modelet tona të konsumit dhe të prodhimit

         E kështu, Papa u kërkon 30 krerëve të shtetit të pranishëm në Nju Jork, ndërmjet të cilëve bie në sy mungesa e presidentit amerikan, Donald Trump, “ndershmëri, përgjegjësi dhe guxim” për ta vënë inteligjencën njerëzore në shërbim të një zhvillimi të shëndetshëm, që i duhet me të vërtetë njeriut.

“Problemi i ndryshimit të klimës  - përfundon Ati i Shenjtë, duke u lënë përgjegjësve të kësaj bote tri fjalët, mbi të cilat e bazon videomesazhin e tij - është i lidhur me çështje të etikës, barazisë dhe drejtësisë shoqërore. Gjendja aktuale e degradimit të ambientit është e lidhur me degradimin njerëzor, etik dhe shoqëror, siç e përjetojmë çdo ditë. Kjo na detyron të reflektojmë mbi modelet tona të konsumit dhe të prodhimit dhe mbi proceset e edukimit dhe të vetëdijësimit, për t’i bërë ato koherente me dinjitetin njerëzor. Jemi përballë një ‘sfide qytetërimi’ në favor të së mirës së përbashkët. Dhe kjo është e qartë, siç është e qartë se ka një shumëllojshmëri zgjidhjesh, që mund t’i bëjnë të gjithë, nëse zbatojmë, në nivel personal dhe shoqëror, një stil jete, që mishëron ndershmërinë, guximin dhe përgjegjësinë”.

23 shtator 2019, 16:49