Kërko

Papa pret Shoqatën "Nxënësit e Qiellit" Papa pret Shoqatën "Nxënësit e Qiellit"  

Papa Françesku: kënga e muzika, gjuhë për të dëshmuar Ungjillin

Papa Françesku, duke iu drejtuar “Nxënësve të Qiellit”, grup të rinjsh të cilët, që nga viti 1968, e kumtojnë Ungjillin me muzikë e këngë, i porositi: “Duke kapërcyer çdo kufi, përhapeni kudo mesazhin e paqes e të vëllazërimit”.

R. SH. - Vatikan

Muzika e kënga janë gjuhë “për të kumtuar Ungjillin e për të hyrë në zemrat e të gjithëve, edhe  të atyre, që janë larg Kishës a fesë”. Iu kushtua kësaj forme të posaçme të apostullimit,  fjalimi i Papës, drejtuar  anëtarëve të Shoqatës “Nxënësit e Qiellit”.

Në vitin 1968 - kujtoi më pas Françesku - themeluesi i kësaj Shoqate, jezuiti atë Giuseppe Arione, iu kushtua kësaj forme të apostullimit, që përdorte muzikën dhe këngën si gjuhë të afta për të transmetuar në mënyrë universale bukurinë e dashurisë së krishterë:

“… Kjo është mënyra juaj për të qenë Kishë misionare, e aftë për t’i frymëzuar e për t’i tërhequr edhe ata që e presin, ndoshta pa u kujtuar, takimin me Krishtin”.

Kujdes për jetën tuaj shpirtërore

Papa, më pas, i inkurajoi  të rinjtë e Shoqatës “ta mbajnë gjithnjë të gjallë karizmën e atë Arones, duke i përtërirë format, por duke ruajtur me kujdes frymën profetike, që vlen edhe për sot e për nesër:

“Që ta bëni këtë, duhet të kujdeseni për jetën tuaj shpirtërore, duke mos lejuar t’jua rrëmbejnë zhurmat e botës, por duke e kultivuar përmes lutjes personale e komunitare, dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe pjesëmarrjes së rregullt në Sakramente, posaçërisht në Rrëfim e në Kungim”.

Të jeni polifonikë!

Kënga - kujtoi Papa - është gjuhë që i bashkon zemrat. Në kor - shtoi- ndjehet fuqimisht gëzimi dhe magjia e polifonisë:

“Ju nxis të jeni ‘polifonikë’ edhe në jetën e përditshme, si ndërmjet jush, ashtu edhe me të tjerët. Posaçërisht nuk duhet të harroni që, më shumë se për bukurinë e këngëve tuaja, do t’ju  njohin si dishepuj e dëshmitarë të Krishtit, nëse do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si ju deshi Zoti. Mos harroni, pra, të jeni një zemër e vetme e një shpirt i vetëm”.

Mision ungjillëzues

Ky i “Nxënësve të Qiellit” është mision i njëmendtë për Ungjillëzimin e Ri. Kumtojnë Ungjillin me muzikë, këngë e koncerte në gjithë Italinë e në mbarë Evropën. Fitimet ua kushtojnë veprimtarive bamirëse të shoqatave e  misioneve, që kërkojnë mbështetje. A ka gjë më të bukur se, kur ke nevojë për ndihmë, të të vijë nga “Nxënësit e Qiellit?”.

10 nëntor 2018, 17:36