Papa Françesku: kënga e muzika, gjuhë për të dëshmuar Ungjillin
R. SH. - Vatikan
Muzika e kënga janë gjuhë “për të kumtuar Ungjillin e për të hyrë në zemrat e të gjithëve, edhe të atyre, që janë larg Kishës a fesë”. Iu kushtua kësaj forme të posaçme të apostullimit, fjalimi i Papës, drejtuar anëtarëve të Shoqatës “Nxënësit e Qiellit”.
Në vitin 1968 - kujtoi më pas Françesku - themeluesi i kësaj Shoqate, jezuiti atë Giuseppe Arione, iu kushtua kësaj forme të apostullimit, që përdorte muzikën dhe këngën si gjuhë të afta për të transmetuar në mënyrë universale bukurinë e dashurisë së krishterë:
“… Kjo është mënyra juaj për të qenë Kishë misionare, e aftë për t’i frymëzuar e për t’i tërhequr edhe ata që e presin, ndoshta pa u kujtuar, takimin me Krishtin”.
Kujdes për jetën tuaj shpirtërore
Papa, më pas, i inkurajoi të rinjtë e Shoqatës “ta mbajnë gjithnjë të gjallë karizmën e atë Arones, duke i përtërirë format, por duke ruajtur me kujdes frymën profetike, që vlen edhe për sot e për nesër:
“Që ta bëni këtë, duhet të kujdeseni për jetën tuaj shpirtërore, duke mos lejuar t’jua rrëmbejnë zhurmat e botës, por duke e kultivuar përmes lutjes personale e komunitare, dëgjimit të Fjalës së Zotit dhe pjesëmarrjes së rregullt në Sakramente, posaçërisht në Rrëfim e në Kungim”.
Të jeni polifonikë!
Kënga - kujtoi Papa - është gjuhë që i bashkon zemrat. Në kor - shtoi- ndjehet fuqimisht gëzimi dhe magjia e polifonisë:
“Ju nxis të jeni ‘polifonikë’ edhe në jetën e përditshme, si ndërmjet jush, ashtu edhe me të tjerët. Posaçërisht nuk duhet të harroni që, më shumë se për bukurinë e këngëve tuaja, do t’ju njohin si dishepuj e dëshmitarë të Krishtit, nëse do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si ju deshi Zoti. Mos harroni, pra, të jeni një zemër e vetme e një shpirt i vetëm”.
Mision ungjillëzues
Ky i “Nxënësve të Qiellit” është mision i njëmendtë për Ungjillëzimin e Ri. Kumtojnë Ungjillin me muzikë, këngë e koncerte në gjithë Italinë e në mbarë Evropën. Fitimet ua kushtojnë veprimtarive bamirëse të shoqatave e misioneve, që kërkojnë mbështetje. A ka gjë më të bukur se, kur ke nevojë për ndihmë, të të vijë nga “Nxënësit e Qiellit?”.