Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media )

Papa në audiencën e përgjithshme: të mos duash, hapi i parë drejt vrasjes

Nëse të vrasësh do të thotë ta shkatërrosh, ta shtypësh, ta eliminosh dikë, atëherë të mos vrasësh do të thotë të kujdesesh, të vlerësosh, të përfshish e të falësh. Kështu, Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit.

R.SH. - Vatikan

“Për ta fyer pafajësinë e një fëmije, mjafton një frazë e papërshtatshme. Për ta prekur një grua, mund të mjaftojë një gjest ftohtësie. Për t’ia thyer zemrën një të riu, mjafton t’ia mohosh besimin. Për ta asgjësuar njeriun, mjafton ta injorosh. Indiferenca vret”. Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku kujtoi se Jezusi na zbulon kuptimin më të thellë të Urdhërimit të pestë të Tënzot: “mos vra”. Në katekizimin e sotëm, Ati i Shenjtë vendosi sharjen, përbuzjen dhe urrejten në të njëjtën nivel me vrasjen. Atëherë, të mos vrasësh do të thotë “të kujdesesh, të vlerësosh, të përfshish e, edhe të falësh”; është thirrje dashurie. “Një mineral, një lule, këta gurë sanpietrinë” nuk kanë mundësi të bëjnë asgjë të keqe, theksoi Jorge Mario Bergoglio për besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, por “njeriut i kërkohet më tepër”, i kërkohet ta zgjedhë të mirën.

Ka shumë forma për të vrarë

         Duke vijuar ciklin mbi 10 Urdhërimet e Tënzot, Papa, i cili javën e kaluar ia kushtoi katekizmit po Urdhërimit të pestë, duke e krahasuar abortin me dërgimin e një sikari, sot, u ndal sërish në komentin e atij “mos vra”, por sipas interpretimit të Krishtit në kapitullin e pestë të Ungjillit sipas Mateut (21-24). Jezusi, shpjegoi Ati i Shenjtë, e shtrin kuptimin e këtij urdhërimi edhe mbi “zemërimin e tërbuar kundër vëllait”, që konsiderohet si formë vrasjeje, njëlloj si fyerja dhe përçmimi.

         “Ne jemi mësuar të fyejmë, është e vërtetë. E kemi sharjen sikur po marrim frymë. E Jezusi na thotë: ‘Ndalu, sepse fyerja bën keq, vret’. Përçmimi… ‘Po unë…këta njerëz, këtë e përçmoj’. Kjo është formë për ta vrarë dinjitetin e njeriut. Do të ishte bukur që ky mësim i Jezusit të hynte në mendje e zemra e, secili prej nesh të pohonte: ‘Nuk do të fyej më askënd’. Do të ishte ndjet i bukur, sepse Jezusi na thotë: ‘Shiko se ti që përçmon, ti që fyen, ti që urren, bën vrasje’”.

Në meshë, të mbajmë qëndrim pajtues

         Papa Françesku vërejti se “asnjë kod njerëzor nuk barazon akte kaq të ndryshme, duke u dhënë atyre të njëjtin nivel gjykimi”, siç bën Krishti, i cili na fton të shkojmë e të pajtohemi me vëllain, nëse e kemi fyer, ose i kemi bërë keq.

         “Edhe ne, kur shkojmë në meshë, duhet të mbajmë qëndrim pajtues me njerëzit, me të cilët kemi pasur probleme. E madje, kemi menduar keq për ta, i kemi sharë. Por shpesh, ndërsa presim të vijë meshtari për të kremtuar meshën, bëjmë pak thashetheme e flasim keq për të tjerët. Po s’bëhet kështu! Le të mendojmë pak për rëndësinë e fyerjes, rëndësinë e përçmimit, rëndësinë e urrejtjes. Jezusi i vendos në nivelin e vrasjes”.

Indiferenca vret

         Papa reflektoi atëherë mbi kuptimin e asaj, që dëshiron të thotë vërtet Jezu Krishti. Njeriu, nënvizoi, ka një jetë shpirtërore fisnike, shumë të ndjeshme, që shkon përtej qënies së tij fizike e ka po aq rëndësi sa ajo. Por, mjafton një fjalë goje, e thënë dhe e pathënë, për ta prekur e për ta “vrarë”. Vret fjala e papërshtatshme, ftohtësia, mosbesimi, indiferenca:

“Është njëlloj sikur t’i thuash tjetrit “Ti nuk ekziston për mua”, sepse tashmë, e ke vrarë në zemrën tënde. Të mos duash është hapi i parë për të vrarë; e të mos vrasësh është hapi i parë për të dashur”.

Rojtarë të vëllezërve

         Duke përmendur fjalët, që Bibla i vë në gojë Kainit, pasi Zoti e pyet ku e ka të vëllanë, Abelin, Papa Françesku vuri në dukje se vrasësit, ashtu si “vrasësi i parë” biblik, i lajnë duart e thonë se nuk kanë të bëjnë me fatin e tjetrit, nuk u takon atyre jeta e tij. Ati i Shenjtë kujtoi se të gjithë duhet të jemi rojtarë të vëllezërve, ta ruajmë tjetrin:

         “Jemi rojtarë të njëri-tjetrit! E kjo është udha e jetës, është udha e mosvrasjes. Jeta njerëzore ka nevojë për dashuri. E cila është dashuria e vërtetë? Është ajo, që na ka treguar Krishti, pra, mëshira. Dashuria, pa të cilën s’bëjmë dot, është ajo, që fal, që pranon kë na ka bërë keq. Asnjëri prej nesh nuk mund të mbijetojë pa mëshirë, të gjithë kemi nevojë për falje. Të gjithë! Prandaj, nëse të vrasësh do të thotë të shkatërrosh, të shtypësh, të zhdukësh dikë, atëherë të mos vrasësh do të thotë të kujdesesh, të vlerësosh, të përfshish. E edhe të falësh”.

E mira që bëjmë, tregon kush jemi

         Por duhet edhe të bëjmë mirë e jo vetëm të mos bëjmë keq. Nuk jemi sende, që në vetvete, nuk kanë mundësi të vrasin kënd. Njeriut i kërkohet më shumë:

         “Ka të mira për t’u bërë, përgatitur për secilin prej nesh – secili të vetat – që na e krijojnë identitetin deri në fund të fundit. ‘Mos vra’ është apel për dashuri e mëshirë, është thirrje për të jetuar sipas Zotit tonë Jezu Krisht, që dha jetën për ne e për ne u ngjall”.

17 tetor 2018, 12:11