Kërko

  Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Papa: Zoti e do çdo jetë, aborti nuk është as akt civil e as njerëzor

Sot paradite, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa Françesku bëri përsëri thirrje për mbrojtjen e çdo jete njerëzore, nga e të posalindurit, tek e të moshuarit. “Zoti e do jetën” - pohoi - duke shpjeguar se jeta e ligshtë tregon rrugëdaljen për të shpëtuar nga egocentrizmi e për të zbuluar, kështu, gëzimin e vërtetë të dashurisë.

R: SH. - Vatikan

“Një përçapje kontradiktore lejon edhe mbytjen e jetës njerëzore, ende në barkun e nënës, në emër të mbrojtjes së disa të drejtave të tjera”.Kështu u shpreh Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar sot urdhërimit të pestë: “Mos vra!”. Për të bërë, më pas, një thirrje të fuqishme në mbrojtje të jetës njerëzore”,

Të përkrahësh abortin, është njëlloj si të paguash një vrasës

Një Urdhërim, që ngrihet “si mur për mbrojtjen e vlerës themelore në marrëdhëniet njerëzore: vlerës së jetës”, të kërcënuar nga luftërat, nga organizatat që shfrytëzojnë njeriun, nga spekulimet mbi krijimin, nga kultura e hedhurinës dhe nga të gjitha sistemet, që ia nënshtrojnë jetën njerëzore llogarive të dobisë, ndërsa një numër shkandullues njerëzish jetojnë në gjendje të padenjë për njeriun.

Por, si mund të jetë mjekues, civil ose thjesht njerëzor, një veprim, që e mbyt jetën  e pafajshme, të pambrojtur, të pa zënë ende mirë fill? Unë po ju pyes: a është e drejtë t’i japësh fund një jete njerëzore, për të zgjidhur një problem? Si mendoni? Është e drejtë? [përgjigjen: jo!]  Është apo jo? [përgjigjen: jo!] A ju duket e drejtë të paguani një vrasës, për të zgjidhur një problem? [përgjigjen: jo!] . Jo, kjo nuk mund e as nuk duhet të bëhet! Nuk është e drejtë të zhdukësh një krijesë njerëzore, sado e vogël të jetë, për të zgjidhur një problem, sado i madh të jetë! Është si të paguash një vrasës, për të zgjidhur problemin.

Frika është zanafilla e dhunës

Papa kujtoi se zanafilla e dhunës dhe mospranimi i jetës lindin nga frika, sepse mirëpritja e tjetrit është “sfidë, që i bëhet individualizmit”.

Të mendojmë, për shembull, për çastin kur merret vesh se jeta në lindje e sipër,  do të dalë në dritë me gjymtime, edhe të rënda. Prindërit, në raste të tilla dramatike, kanë nevojë për afërsi të vërtetë, për solidaritet të vërtetë,  që të mund t’i bëjnë ballë realitetit, duke e përballuar frikën e kuptueshme. Ndërsa shpesh marrin këshilla të ngutshme për ndërprerjen e shtatzanisë, shprehje që përdoret rëndom në këtë rast. E ta ndërpresësh shtatzaninë, do të thotë “ ta vrasësh dikënd”.

Jeta e ligshtë është rrugëdalje nga individualizmi: të zbulon gëzimin e dashurisë

Në të vërtetë, një fëmijë është si çdo nevojtar i kësaj toke: si i moshuari, që ka nevojë për asistencë e si shumë të varfër, që shtrijnë dorën udhëve: janë të gjithë dhuratë e Zotit, që të më shpëtojnë nga egocentrizmi e të më ndihmojnë të  provoj dashurinë e vërtetë. Në këtë drejtim, Papa falënderoi disa herë një mori vullnetarësh e, sidomos, vullnetariatin italian i cili - theksoi - është më i forti, që ka njohur.

Paratë, pushteti, suksesi: parametra të gabuar

Françesku foli edhe për shkaqet e mospranimit të jetës, “idhujt e kësaj bote”: paraja, që të shtyn të mendosh se do të ishte më mirë ta hiqje qafe ndokënd, “sepse kushton”, e akoma, pushteti, suksesi, “parametra të gabuar për vlerësimin e jetës”.

Çdo jetë vlen sa gjaku i Krishtit. Mos e përbuz!

Ia vlen barra qeranë “ta mirëpresësh çdo jetë, sepse çdo njeri vlen sa gjaku i vetë Krishtit” e nuk mund ta përbuzësh, çka Zoti e deshi aq shumë”.  Duhet t’u themi burrave e grave të botës: mos e përbuz jetën! Jetën e tjetrit, por edhe tënden, sepse edhe për të vlen Urdhërimi; “Mos vra!”. Shumë të rinjve duhet t’u kujtosh shpesh: mos e përbuz jetën tënde! Jepi fund  refuzimit të veprës së Zotit! Ti je vepër e Zotit! Mos e nënvleftëso veten, mos e përbuz me vartësitë, që të rrënojnë e të çojnë drejt varrit!

E vetmja masë e vërtetë e jetës, është dashuria me të cilën na do Zoti

E vetmja masë e vërtetë e jetës, “është dashuria, me të cilën e do Zoti jetën”, dashuria me të cilën e do Zoti çdo jetë njerëzore. Sepse Zoti është dashuronjës i jetës - përsëriti disa herë Papa, duke u kërkuar pjesëmarrësve në audiencë të bashkojnë zërin me të tijin, për ta përsëritur këtë pohim: “Zoti e do jetën, sepse është dashuronjës i çdo jete njerëzore. Çdo jetë vlen sa gjaku i Krishtit. Mos e përbuz!”.

10 tetor 2018, 12:34