Audiencë e veçantë e shqiptarëve me Papën, për Skënderbeun. Flet znj. Dodaj
R.SH. - Vatikan
Kanë kaluar 50 vjet që nga ai 25 prill i vitit 1968, kur në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri, shqiptarët e diasporës - edhe pse pa bashkatdhetarët e tyre nga vendi amë, mbyllur në atdheun e kthyer në burg - erdhën në Vatikan, në audiencë tek Papa Pali VI, që vetëm pas pak ditësh, më 14 tetor, do të shpallet shenjt nga Kisha Katolike. Ishte atëherë, 500-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e shqiptarët vinin të kujtonin bashkë me Atin e Shenjtë, gjestet e atij që u quajt “Athleta Christi”.
Tani, pas 50 vjetësh, pikërisht në përfundim të Vitit mbarëkombëtar kushtuar Kastriotasit, sërish shqiptarët do të shkelin në sheshin e Shën Pjetrit e në sallat e Pallatit Apostolik, në Vatikan, për një audiencë me Papën Françesku, në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Atëherë, në gjuhën shqipe – siç dëshmon në revistën Shêjzat, Karl Gurakuqi – Papa Pali VI u tha shqiptarëve se “shpirti me të cilin ju e kujtoni ketë ditë asht ai i gjithëmonshmi i fisit t’uej, i cili gjith herë mbi çdo interes ka vu vlerat e trashigueme të besës, te nderit e të burrnis”. Kësaj radhe, është hera e dytë që një përfaqësi shqiptarësh do të vijë në Vatikan për të kujtuar Heroin e madh Kombëtar së bashku me Papën Françesku. Takimi është organizuar nga ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.
E ne kemi ftuar sot në studio, zonjën Majlinda Dodaj, e ngarkuar me punë në këtë ambasadë, në krye të misionit diplomatik shqiptar. Me takimin tek Papa, ambasada kurorëzon kështu, një sërë veprimtarish, në kuadrin e Vitit kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ia japim fjalën zonjës Dodaj, në mikrofonin e Klaudia Bumçit…