Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Viktimat e abuzimeve në Kili: Juan Carlos Cruz, James Hamilton e Jose Andrés Murillo Viktimat e abuzimeve në Kili: Juan Carlos Cruz, James Hamilton e Jose Andrés Murillo  (ANSA)

Papa do të presë në qershor viktima të tjera të abuzimeve në Kili

Papa Françesku do të presë, në Shtëpinë e Shën Martës, një grup tjetër viktimash të abuzimeve në Kili: do të dëgjojë dëshmitë e tyre.

R.SH. - Vatikan

Nga 1 deri më 3 qershor, Papa Françesku do të presë grupin e dytë të viktimave të priftit kilian, Fernando Karadima, si edhe disa besimtarë të famullisë Sagrado Corazòn de Providencia (“El Bosque”) – Zemra e Shenjtë e Provanisë Hyjnore (“Pylli”). Kësaj radhe, viktimat janë pesë meshtarë, të cilët kanë pësuar abuzime të pushtetit, të ndërgjegjes e madje, edhe seksuale, nga atë Karadima.

Të ftuar nga Papa në Shtëpinë e Shën Martës

         Së bashku me ta, edhe dy priftërinj, që i kanë ndihmuar viktimat në udhën e tyre juridike e shpirtërore, së bashku me dy laikë, pjesëmarrës në këtë vuajtje. Të gjithë, do të jenë të ftuar të Atit të Shenjtë në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Shumica mori pjesë në takimet e Kilit, gjatë misionit të veçantë të imzot Charles Scicluna-s dhe të imzot Jordi Bertomeu-t, në shkurt të këtij viti. Të tjerët bashkëpunuan gjatë javëve pas vizitës.

Papa Françesku dëgjon viktimat e abuzimeve

         Me këtë takim të ri, programuar që një muaj më parë, Papa Françesku dëshiron t’u dëshmojë afërsinë e tij meshtarëve të abuzuar, t’i shoqërojë në dhimbje dhe të dëgjojë mendimin e tyre të çmuar për të përmirësuar masat aktuale parandaluese dhe luftën kundër abuzimeve në Kishë.

Nisma të ngjashme në të ardhmen

         Përfundon kështu, faza e parë e takimeve të Atit të Shenjtë me viktimat e sistemit abuziv, vendosur disa dhjetëvjeçarë më parë në famullinë, që njihet me emrin “El Bosque”(Pylli). Meshtarët dhe laikët, që vijnë tek Papa, përfaqësojnë të gjitha viktimat e abuzimeve të klerit në Kili, por nuk përjashtohet mundësia që nisma të ngjashme të përsëriten edhe në të ardhmen. Papa mendon t’ia kushtojë fundjavën këtyre takimeve, që do të mbahen në një ambient të rezervuar e në mirëbesim.

Françesku kërkon lutjen e besimtarëve kilianë

         Paraditen e së shtunës, 2 qershor, Papa do të kremtojë një meshë private në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Pasdite, parashikohet një takim në grup e pastaj, takime individuale. Ati i Shenjtë vijon t’u kërkojë besimtarëve në Kili – e sidomos besimtarëve në famullitë, ku meshtarët-viktima kryejnë shërbimin e tyre baritor – t’i shoqërojnë ata me lutje e me solidaritet, gjatë këtyre ditëve e më vonë.

23 maj 2018, 15:55