Kërko

Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Kilit, imzot Ramos dhe ipeshkvi i dioqezës së Shën Bernardit, imzot Gonzales Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Kilit, imzot Ramos dhe ipeshkvi i dioqezës së Shën Bernardit, imzot Gonzales 

Ipeshkvijtë kilianë japin dorëheqjen, që Papa të vendosë për ta

Prelatët kërkojnë falje për dhimbjen, që u është shkaktuar viktimave, Papës, vendit dhe Popullit të Zotit, për gabimet e rënda në trajtimin e çështjes së abuzimeve. Së bashku me Atin e Shenjtë synojnë të rivendosin drejtësinë e të kontribuojnë në shpërblimin e dëmeve.

R.SH. - Vatikan

Sot paradite, në auditoriumin e Sekretarisë për Komunikimin, në emër të Konferencës Ipeshkvnore të Kilit, që përfundoi dje takimin me Papën Françesku, sekretari i përgjithshëm, imzot Fernando Ramos dhe ipeshkvi i dioqezës së Shën Bernardit, imzot Juan Ignacio Gonzales, u lexuan gazetarëve një deklaratë në spanjisht e italisht, hartuar pas bisedimeve me Atin e Shenjtë e pas letrës, që u dorëzoi mbrëmë. Duke e falenderuar Papën për dialogun vëllazëror, ipeshkvijtë kërkuan publikisht falje për dhimbjen, që u shkaktuan viktimave, vetë Papës, Popullit të Zotit dhe vendit të tyre, duke fshehur provat e duke bërë gabime të rënda në trajtimin e abuzimeve në Kili.

Falenderohen viktimat

         Ipeshkvijtë kilianë falenderojnë edhe të dërguarit e Papës, imzot Charles Scicluna e don Jordi Bertomeu, që iu kushtuan plotësisht ndihmës për të shëruar plagët e shoqërisë dhe të Kishës në Kili.

         “Falenderojmë viktimat – pohojnë më tej ipeshkvijtë – për këmbënguljen dhe guximin e tyre, pavarësisht nga vështirësitë e jashtëzakonshme personale, shpirtërore, shoqërore e familjare, që u është dashur të përballojnë, shpesh, së bashku me keqkuptimin dhe me sulmet e vetë bashkësisë kishtare. Edhe një herë u përgjërohemi të na falin e të na ndihmojnë në udhën e shërimit të plagëve, që ato të mbyllen plotësisht”.

Të gjithë ipeshkvijtë e kanë dorëzuar detyrën në duart e Papës

         Së dyti, ipeshkvijtë kilianë të pranishëm në Romë, kanë dhënë me shkrim dorëheqjen, duke ia dorëzuar atë Papës, në mënyrë që ai të vendosë lirisht për fatin e tyre.

         “Vihemi për udhë – vijojnë prelatët në komunikatën e tyre – duke e ditur se këto ditë dialogu të sinqertë përfaqësojnë një gur kilometrik në procesin e thellë të ndryshimeve, udhëhequr nga Papa Françesku. Në bashkim me të, duam të rivendosim drejtësinë e të kontribuojmë në shpërblimin e dëmit të shkaktuar, për t’i dhënë hov të ri misionit profetik të Kishës në Kili, qendra e të cilit do të duhej të kishte qenë gjithnjë Krishti”.

Të rivendoset drejtësia

         “Dëshirojmë – përfundojnë ipeshkvijtë e Kilit – që fytyra e Zotit të shndrisë sërish në Kishën tonë dhe impenjohemi që tani për këtë. Me përvujtëri e shpresë u kërkojmë të gjithëve të na ndihmojnë ta përshkojmë këtë rrugë. Duke ndjekur këshillat e Atit të Shenjtë, i përgjërohemi Zotit që në këto orë të vështira, por plot shpresë, Kisha të mbrohet nga Hyu dhe nga Zoja Karmë”.

18 maj 2018, 14:50