Solidaritet për Kishën e Nikaraguas, pas sulmeve kundër lirisë së shprehjes
R.SH. – Vatikan
Mban datën 1 gusht, komunikimi i Institutit të Telekomunikacionit dhe të Postave të Nikaraguas, me të cilin njoftohet mbyllja e Radio Hermanos në dioqezën e Matagalpa-s. Zyrtarët e Institutit shkuan personalisht në selinë e emitentes katolike për të komunikuar vendimin, pasi, sipas tyre, i ka skaduar licenca për transmetim. Ndërkaq, Kisha vendase bën të ditur se ipeshkvi, imzot Rolando José Alvarez, e ka dorëzuar që në vitin 2016 dokumentacionin e nevojshëm për rinovimin e licencës. Përveç radios më të vjetër katolike në Matagalpa, u censuruan edhe Radio Católica de Sébaco, Radio Nuestra Señora de Lourdes, La Dalia, Radio Alliens de San Dionisio, Radio Monte Carmelo de Río Blanco, Radio San José de Matiguas dhe Radio Santa Lucía de Ciudad Darío.
SHBA dhe BE në mbrojtje të Kishës së Nikaraguas
Ky veprim u dënua menjëherë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që flasin për “vendim arbitrar”, për “pushtim” të emitenteve dhe për ndërhyrje me dhunë të policisë kundër atyre, që protestuan për ndërprerjen e transmetimeve. Është shkelje e lirisë së shprehjes dhe e lirisë së fesë në Nikaragua, pohoi zëdhënësi i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Peter Stano. Në të njëjtën linjë, Departamenti Amerikan i Shtetit për Amerikën Latine, përmes funksionarit të lartë, Brian Nichols. Në veçanti, Komisioni Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut dhe Zyra e Raportuesit të Veçantë për Lirinë e Shprehjes dënuan ashpër “mbylljen arbitrare” të shtatë radiove katolike në Nikaragua, hyrjen e dhunshme të policisë në një famulli dhe sekuestrimin e pajisjeve të radios e të televizionit. Dy organizmat amerikane i kërkuan shtetit të Nikaraguas “të ndërpresë sulmet e vazhdueshme kundër Kishës Katolike” dhe “të mos përdorë forcën në fushën e telekomunikacionit si masë për të kufizuar, ose parandaluar qarkullimin e informacioneve, ideve dhe opinioneve” të lira.
Cënohen edhe motrat e Nënë Terezës
Vetëm pak javë më parë, edhe Misionareve të Dashurisë së Nënë Terezës iu dorëzua një vendim, që u kërkon të largohen nga vendi. Po kjo dispozitë u mbërriti edhe disa OJQ-ve të tjera, që punojnë me të varfërit dhe nevojtarët. Sipas një raporti të qeverisë, murgeshat nuk kanë respektuar disa detyrime ligjore lidhur me rregulloret në fuqi për pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Gjithashtu, ato dhe organizatat e tjera nuk janë akredituar nga Ministria e Familjes për administrimin e veprimtarive të tyre.
Motivacionet e Kishës
I ashpër, reagimi i Kishës vendase. “Ne do të vijojmë të raportojmë dhe të denoncojmë çdo situatë të këtij lloji, që vazhdon të cënojë lirinë e shprehjes dhe lirinë fetare në Nikaragua”, deklarohet në një notë. Meshtarët kërkojnë “t'i jepet fund persekutimit të Kishës” dhe ripohojnë përkushtimin e tyre për ngjillëzimin e vendit, në veçanti, në dioqezën e Matagalpës, sepse “Fjala e Zotit - theksojnë - nuk lidhet me zinxhir”. Ipeshkvi i Matagalpës, imzot Rolando Alvarez, e fton popullin e Zotit që sot, e premte 5 gusht, të kremtojë një ditë agjërimi dhe lutjeje, “sepse lutja do ta shpëtojë Nikaraguan”. Pikërisht kundër prelatit, është marrë një masë edhe më e rëndë. Agjentët specialë të policisë së Nikaraguas e penguan imzot Alvarez-in të largohej nga shtëpia për të kremtuar meshën, në mënyrë që të mos kritikonte autoritetet, kur të thoshte homelinë.