Kërko

Shenjtërimi i Nënë Terezës Shenjtërimi i Nënë Terezës 

Misionarët e Bamirësisë duhet të largohen nga Nikaragua, së bashku me OJQ-të e tjera

Sipas një raporti të qeverisë, murgeshat nuk kanë përmbushur disa detyrime ligjore, shkelin ligjshmërinë kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe nuk janë të akredituara nga Ministria e Familjes për menaxhimin e veprimtarive të tyre.Në një postim në Twitter zhgënjimi i ipeshkvit- ndihmës të Managua Imzot Baez.

R. SH. - Vatikan

Qeveria e Nikaraguas urdhëroi, me një dekret, anulimin e personalitetit juridik të 101 OJQ-ve, duke përfshirë edhe Kongregatën e Misionarëve të Bamirësisë. Parlamenti ratifikoi ligjin dhe motrat e Nënë Terezës së Kalkutës, të angazhuara në struktura të ndryshme për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit në nevojë e pa mjete jetese, tashmë duhet të largohen nga vendi. Sipas një raporti të Drejtorisë së Përgjithshme të Regjistrimit dhe Kontrollit të Organizatave Jofitimprurëse të Ministrisë së Brendshme, murgeshat nuk kanë përmbushur disa detyrime ligjore dhe shkelin legjishmërinë kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Në raport theksohet gjithashtu se Kongregata e Misionarëve të Bamirësisë nuk është e akredituar nga Ministria e Familjes për menaxhimin e aktiviteteve të saj dhe se nuk ka lejen e Ministrisë së Arsimit për t’u angazhuar në fushën e arsimit. Ekzekutivi pretendon gjithashtu se murgeshat nuk kanë raportuar asnjë pasuri fikse, nuk kanë bërë të ditur veprimtaritë e kryera në qytetin e Granadës dhe se të ardhurat e tyre nga donacionet nuk përkojnë me dokumentet e paraqitura. Për më tepër, bordi drejtues i shoqatës së tyre përbëhet ekskluzivisht nga shtetas të kombësive të tjera, ndërsa ligji i ri 1115, që rregullon OJQ-të, përcakton se vetëm 25% mund të vijnë nga jashtë.

Një vendim që “trishton shumë”

Në këtë vend, marsin e kaluar u dëbua nunci apostolik, Imzot Waldemar Stanislaw Sommertag, i cili ndodhet në Managua që nga viti 2018. Qeveria ka vendosur të tërheqë miratimin e tij duke i kërkuar të largohet nga vendi menjëherë pas njoftimit. Një masë që dukej “e pakuptueshme” për Selinë e Shenjtë, e cila në një deklaratë theksoi “përkushtimin e thellë për të mirën e Kishës dhe popullit Nikaraguan, veçanërisht të njerëzve më të rrezikuar” nga nunci, në përpjekjen për të favorizuar gjithmonë “marrëdhënie të mira ndërmjet Selisë Apostolike dhe autoriteteve të Nikaraguas”. Imzot Silvio José Baez, ipeshkvi-ndihmës i Managuas, shprehu, në një postim në Twitter, keqardhjen e tij për dëbimin e murgeshave. “Më trishton shumë fakti që diktatura i detyroi Misionarët e Bamirësisë së Nënë Terezës së Kalkutës të largohen nga vendi - shkruan prelati - i cili publikoi edhe një foto të Shën Terezës së bashku me murgeshat - Asgjë nuk e justifikon lënien e të varfërve pa kujdesin e bamirësisë. Ata dëshmojnë shërbimin që u kanë bërë motrat, Zoti i bekoftë”. Edhe Konfederata e Fesë në Amerikës Latine shprehu solidaritetin e saj me murgeshat në një postim në Twitter, duke nënvizuar se “kjo situatë e pakuptueshme” na bashkon dhe na nxit “të vazhdojmë britmën në favor të më të varfërve, të cilët sot vuajnë pasojat e këtij vendimi të qeverisë së Nikaraguas”.

Misionet e Motrave të Nënë Terezës së Kalkutës në vend

Misionarët e bamirësisë kanë qenë të pranishëm në vendin e Amerikës Qendrore që nga viti 1988, kur Nënë Tereza e Kalkutës shkoi atje për  vizitë dhe takoi presidentin e asokohshëm, Daniel Ortega. Që atëherë motrat u kanë ofruar shërbim të pandërprerë më të varfërve. Në Granada ata drejtonin një strehë për adoleshentët e braktisur ose të dhunuar, të cilëve u ofronin ndihmë psikologjike dhe shkollore. Murgeshat gjithashtu dhanë mësime muzike, teatri, qepjeje dhe zanatesh të tjera, për t’i ndihmuar të rinjtë të integrohen në shoqëri. Në Managua, përveç krijimit të një shtëpie pleqsh, ata vunë në jetë një projekt për nxënësit në rrezik, kryesisht fëmijë të grave punonjëse në tregjet popullore, ndërsa në një çerdhe kujdeseshin për fëmijët e familjeve me të ardhura të ulëta, për nënat beqare ose shitësit ambulantë. 101 organizatat, që u detyruan të mbyllen këto ditë, u shtohen më shumë se 750 organizatave të cilave qeveria ua mohoi statusin ligjor vitet e fundit. Majin e kaluar ishte radha e Institutit Gjoni XXIII, lidhur me Universitetin e Amerikës Qendrore (UCA), i cili po ndihmonte rreth 400.000 njerëz me programet e tij të strehimit, projektet globale ekologjike dhe, mbi të gjitha, me mbrojtjen e shëndetit. Në fillim të qershorit edhe Merced, një rrjeti katolik në dioqezën e Matagalpa, iu desh të ndalonte transmetimet e tij televizive.

02 korrik 2022, 17:31