Kërko

Policia bllokon ipeshkvin e Matagalpa-s, Nikaragua Policia bllokon ipeshkvin e Matagalpa-s, Nikaragua 

Kisha e Nikaraguas solidare me ipeshkvin e Matagalpa-s, bllokuar në shtëpi nga autoritetet

Që nga e enjtja, imzot Rolando José Álvarez Lagos, nën mbikëqyrjen e policisë, nuk mund të largohet nga ipeshkvia, pasi akuzohet se është përpjekur të organizojë grupe të dhunshme dhe të destabilizojë qeverinë. Në predikimet e tij, prelati denoncon shpesh shkeljet e të drejtave të njeriut, persekutimet fetare dhe abuzimet me pushtetin. Më 1 gusht, autoritetet vendosën të mbyllin Radio Hermanos në dioqezën e Matagalpa-s, si edhe emitente të tjera katolike

R.SH. – Vatikan

         “Gjendja na prek zemrat si ipeshkvij dhe si Kishë e Nikaraguas, ‘pasi nëse një gjymtyrë vuan, të gjithë vuajmë me të’”: me këto fjalë Konferenca Ipeshkvnore e Nikaraguas - në një deklaratë - shpreh keqardhjen për ç’po ndodh me ipeshkvin e Matagalpës, imzot Rolando José Álvarez, i bllokuar në shtëpi, që nga e enjtja, kur agjentë specialë të policisë e penguan të shkonte për të kremtuar meshën, duke pasur frikë nga revoltat, që mund të shkaktonte homelia e tij. Deklarata e ipeshkvijve u lexua dje gjatë meshës të së dielës nga kardinali Leopoldo Brenes, kryeipeshkëv i Manguas. Përveç prelatit, edhe 12 njerëz të tjerë, 6 priftërinj dhe 6 laikë, e kanë të ndaluar të dalin nga pallati ipeshkvnor. Për forcat e rendit dhe të ligjit, ipeshkvi është përpjekur të organizojë grupe të dhunshme dhe të nxisë urrejtje për të destabilizuar qeverinë e presidentit Daniel Ortega. Policia ka hapur një proces hetimor për të përcaktuar përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në këto akte, të cilësuara si “kriminele”, prandaj “të dyshuarit duhet të qëndrojnë mbyllur në shtëpi”.

Në vendin e Amerikës Qendrore, disa emitente katolike, përfshirë Radio Hermanos, në dioqezën e Matagalpas, u mbyllën me urdhër nga lart. Më 1 gusht, njerëz nga Instituti i Telekomunikacionit dhe i Postave u paraqitën në selinë e stacionit radiofonik për të njoftuar ndërprerjen e programeve. Liçenca e tij nuk u rinovua, pavarësisht nga paraqitja e dokumenteve që në vitin 2016. Imzot Álvarez Lagos u përpoq të lutej rrugës, duke marrë me vete edhe Eukaristinë në ostensor, por u ndalua nga oficerët e policisë. Të premten, ai i ftoi besimtarët të mbajnë një ditë agjërimi dhe lutjeje.

Afërsia e Konferencës Ipeshkvnore

         Kujtojmë se u mbyllën edhe radio të tjera, përveç dëbimit të motrave të Nënë Terezës, disa javë më parë, akuzuar se nuk respektojnë ligjin kundër riciklimit të parave. Ipeshkvijtë e Nikaraguas i shprehin imzot Álvarez Lagos “vëllazërimin, miqësinë dhe bashkimin ipeshkvnor”, duke shtuar se Kisha “për natyrën e vet, kumton Ungjillin e Paqes dhe është e hapur për bashkëpunim me të gjitha autoritetet kombëtare e ndërkombëtare, që kujdesen për këtë pasuri të madhe universale”. Në prag të Kongresit Kombëtar Marian, ipeshkvijtë u kërkojnë besimtarëve të luten e të thonë Rruzare, duke iu drejtuar Zojës së Papërlyer, pajtores së Nikaraguas.

Tensionet ndërmjet qeverisë së Ortegës dhe Kishës

         Prej vitesh, ipeshkvi i Matagalpës kërkon respekt për "lirinë fetare", duke e ngritur zërin kundër padrejtësive. “Veshja meshtarake nuk e bën të pandëshkueshëm”, paralajmëroi deputeti Wilfredo Navarro, anëtar i partisë sandiniste të presidentit Daniel Ortega, në një artikull të botuar në faqen e internetit të televizionit publik Canal 4. Sipas tij, ipeshkvi, së bashku me meshtarë të tjerë, ka qenë në krye të përpjekjes për grusht shteti, në vitin 2018, për të cilin presidenti Ortega akuzon Uashingtonin në bashkëpunim me Kishën Katolike. Atë vit, protestuesit, që kërkonin dorëheqjen e presidentit të Nikaraguas, u strehuan në kisha, duke bërë të acarohen marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe qeverisë. Kriza çoi edhe në dëbimin e nuncit apostolik, imzot Waldemar Sommertag, në mars të këtij viti. Daniel Ortega, 76 vjeç, ish-guerrilas sandinist, u rizgjodh president në nëntor 2021 për mandatin e katërt radhazi, në një votim, në të cilin mungonin të gjithë kundërshtarët e tij të mundshëm, pasi ishin arrestuar, ose ishin detyruar të iknin në mërgim. Sipas Komisionit Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut, protestat që kërkonin dorëheqjen e tij, katër vjet më parë, janë shtypur përgjakshëm, duke shkaktuar mbi 350 të vdekur, qindra të burgosur dhe dhjetëra mijëra të mërguar.

08 gusht 2022, 14:41