Kërko

David Sassoli, ish-kryetar i Parlamentit evropian David Sassoli, ish-kryetar i Parlamentit evropian

David Sassoli: kardinali Hollerich, “trashëgimia e tij demokratike u kalon të rinjve evropianë”

Në emër të ipeshkvijve të Bashkimit Evropian, kreu i COMECE-së (Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian), kardinali Jean-Claude Hollerich, shpreh “dhimbjen e thellë për vdekjen e kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli”. Ishte njeri i vlerave dhe i dialogut, nënvizon ai

R.SH. - Vatikan

“Jam thellësisht i trishtuar nga lajmi i vdekjes së kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli”. Fillon kështu mesazhi i ngushëllimit të kreut të COMECE-së (Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian), kardinalit Jean-Claude Hollerich, i cili u shpreh familjarëve, miqve e kolegëve të Sassoli-t, afërsinë e ipeshkvijve evropianë. “Ishte njeri i vlerave dhe i dialogut – vijon mesazhi - me ndjenjën e spikatur të detyrës. Punoi për të mirën e përbashkët si gazetar dhe si lider i BE-së, për të përmirësuar institucionet demokratike dhe për t’i afruar ato me qytetarët evropianë”.

Kardinali Hollerich kujton projekte të rëndësishme në gjirin e Bashkimit Evropian, si “Youth Empowrment” (Fuqizimi i Rinisë), lufta kundër varfërisë, rimëkëmbja pas pandemisë dhe Konferenca mbi të ardhmen e Evropës, për të cilat David Sassoli u impenjua personalisht. “Sado i trishtuar të jetë lajmi i vdekjes – shkruan kreu i COMECE-së – jam i sigurt se cilësitë e tij si funksionar i devotshëm publik nuk kanë kaluar pa u vënë re nga shumë të rinj evropianë, që jo vetëm do ta kujtojnë, por edhe do të marrin në dorë trashëgiminë e tij në favor të demokracisë dhe të solidaritetit”. Duke shprehur sërish ngushëllimet e ipeshkvijve evropianë, kardinali Hollerich përfundon me fjalët: “Në këtë çast të vështirë, vajtojmë këtë italian të jashtëzakonshëm e evropian krenar. Pushoftë në paqe”.

12 janar 2022, 10:59