Papa: Sassoli, njeri i së mirës së përbashkët dhe i kujdesit për të fundmit
R.SH. - Vatikan
Në pak rreshta, Papa Françesku përmbledh aspekte të ndryshme të personalitetit të David Sassoli-t, fillimisht gazetar e më pas president i Parlamentit Evropian, që ndërroi jetë pak pas orës 1.00 të natës së 11 janarit, në spitalin e Qendrës Onkologjike të Avianos, në provincën italiane të Pordenones, ku ishte shtruar pas ndërlikimeve, për shkak të mosfunksionimit të sistemit imunitar.
Në një telegram drejtuar së shoqes, Alessandra Vittorini, me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, Ati i Shenjtë e siguron familjen për afërsinë e tij shpirtërore, u shpreh ngushëllimet të bijve, Livia e Giulio, dhe merr pjesë në “zinë, që ka prekur Italinë dhe Bashkimin Evropian”.
Kthjelltësi, pasion dhe përkushtim
Papa e kujton David Sassoli-n si “besimtar të frymëzuar nga shpresa e dashuria” e krishterë, por edhe si “gazetar të mirë” e si “njeri të vlertë të institucioneve, i cili, me qetësi e respekt, me drejtësi dhe përkushtim bujar, u impenjua për të mirën e përbashkët në detyrat publike, që mbuloi”. Në tiparet e përshkruara nga Françesku, edhe kthjelltësia dhe pasioni i Sassoli-t për promovimin e “një vizioni solidar në bashkësinë evropiane”. Vizion, që u shpreh në “kujdesin e veçantë për të fundmit”. Në përfundim të mesazhit, Ati i Shenjtë siguron lutjen dhe bekimin e tij, duke i kërkuar Zotit ngushëllim për ata, që vajtojnë humbjen e presidentit të Parlamentit Evropian.