Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin: Jezusi ushqen 5 mijë vetë

Mrekullinë e shumëfishimit të bukëve e të peshqve na e tregojnë të gjithë ungjilltarët. Jezusit i duhet të ushqejë një turmë të madhe njerëzish në bregun verilindor të liqenit të Tiberiadit e ata e shohin se kishin të bënin me Mesinë e shumëpritur e duan ta shpallin mbret. Por Jezu Krishti nuk i lë, sepse misioni i tij nuk ishte politik, por shpirtëror. Të ndjekim pjesën e kapitullit 6 të Ungjillit sipas Gjonit, në këtë të diel XVII të vitit kishtar…

R.SH. - Vatikan

1 Në atë kohë, Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve. 5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?” 6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte. 7 “As dyqind denarë bukë - iu përgjigj Filipi - nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë”. 8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit: 9 “Këtu është një djalosh, që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?” 10 Jezusi u tha: “Thuajini njerëzve të ulen”. Në atë vend kishte shumë bar.

U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 11 Jezusi mori bukët, u falënderua dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve - aq sa deshën. 12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë”. 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukëve elbi. 14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë”. 15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.

Të lutemi së bashku:

Gjesti i asaj dite, o Jezus,

nuk është një ndër të shumtët,

por është shenjë vendimtare,

sepse na lejon të të kuptojmë

Ty e misionin tënd,

ç’ndien në zemër,

ç’na ofron e ç’i kërkon secilit prej nesh.

 

Ti e njeh urinë e njerëzve, çdo lloj urie:

urinë e të varfërve, që s’kanë të hanë,

urinë e të sëmurëve, krejtësisht të braktisur,

por edhe atë të shumë njerëzve,

që kanë nevojë të patregueshme

për dhembshuri e dashuri,

për miqësi e shoqëri,

për ndihmë e solidaritet,

për falje e mirësi,

për një dorë e një fytyrë vëllazërore.

 

Ti dëshiron ta zhdukësh këtë uri

që zgjon dhembshuri

dhe e di mirë se nuk është paraja

përgjigjja më e mirë.

E kështu, pranon një ofertë

krejt të pamjaftueshme,

siç janë ato pesë bukë e dy peshq.

Ia beson Atit Qiellor e fillon t’i shpërndash,

deri sa ngopet një turmë e tërë.

 

Në këtë mënyrë, na mëson

se kur jemi gati ta ndajmë

atë pak, që kemi, me të tjerët

arrijmë vërtet të bëjmë mrekulli.

24 korrik 2021, 08:10