Padova, qyteti që jeton prej disa shekujsh nga Shenjti
R. SH. - Vatikan
Në vitin 1237 Komuna e lirë e Padovës u la me gjak. Ishte ora e tmerrshme e territ, në të cilën Ezelini III Romano sillte në majën e shpatës së tij, shfarosje e vdekje. Por ndërkaq, Komuna e veshur me petka morti, ndjen se nuk është vetëm. Mbi të vegon Mrekullibërësi! Mekullibërësi e ruan nga qielli lirinë e qytetarëve të vet. Dhe e bën përsëri të dridhet Neronin mizor të vendit.
Kupa e krimit ishte mbushur plot e po derdhej.
Një natë të vitit 1256, ishte 13 qershor - një frat i paepur – Luca Belludi, shkon te varri i mbrojtësit të qytetit. Në zemër ka ankth. Në buzë, britmën zemërçjerrëse drejtuar Shenjtit për ndërmjetësim. Për dhimbë e mëshirë. Dhe e ndjen se Shenjti është përmbi qytetin e vet. Eshtrat e tij rrënqethen në fund të urnës. Ndërsa zëri i tij frymëzues - zë kreshniku në fushën e betejës - jehon fuqishëm, si premtim për ngadhënjim: “Mos ki frikë, Lukë! Në tetëditëshin e festës sime, Padova do të jetë e lirë nga shtaza e kurorëzuar e Onarës!”.
E qyteti shpëton. I mbrojtur nga Shenjti i tij!
Antoni e tha fjalën e vet… Shoku i tij besnik, e konfirmoi.
Një 7 prill i jashtëzakonshëm
Më 20 qeshor 1256, flamuri i kryqtarëve shpaloset në erë. Në duart e fratit Chiarello të Kuvendit të Shenjtit. Era e freskët rreh palët e flamurit të Komunës. Erë lirie. Mijëra shtegtarë rrajnë te ai, që e shpëtoi qytetin.
Gjuha e gjallë e njeriut të vdekur
Më 7 prill – të Dielën in Albis të vitit 1263, një urnë, më e bukura e më denja, pret trupin e vdekur të Shenjtit, me të cilin besimtarët, tashmë jo vetëm nga Padova e rrethinat, vijojnë të takohen, t’i kërkojnë hire e të fitojnë. Pas 32 vjetësh urna hapet.
I pranishëm, Gjenerali i shtatë i Urdhërit Françeskan, Bonaventura da Bagnoreggio - i famshëm në lëmin e shkencës e të shenjtërisë. Është i pari që shikon urnën e hapur.
Trupi është hi e pluhur, po kafka - e paprekur: në të, gjuha, krejt e freskët, ngjyrë rozë, si ajo e njeriut të gjallë. Gjuha që predikoi, gjuhë që flet….
I flet Padovës e botës! E qyteti që e bëri të vetin, jeton prej disa shekujsh nga shenjti, që tërheq këtu mijëra njerëz, nga mbarë bota, verë e dimër… Edhe – e sidomos kur botën e kërcënon pandemia… I dëgjon shtegtarët, por edhe u flet. Me gjuhën e tij të artë, që nuk vdes!