Bazilioka e  Shna  Ndout në Padovë Bazilioka e Shna Ndout në Padovë 

Padova, qyteti që jeton prej disa shekujsh nga Shenjti

Nesër kremtohet festa e Shëna Ndout. Në prag të saj kujtuam tetë mrekullitë e Shenjtit Mrekullibërës, duke nisur nga mrekullia e mushkës – për të përfunduar me mrekullinë e kthimit të Shenjtit në Shenjtëroren e tij të Laçit. Sot “Padova, qyteti që jeton prej disa shekujsh nga Shenjti”.

R. SH. - Vatikan

Në vitin 1237 Komuna e lirë e Padovës u la me gjak. Ishte ora e tmerrshme e territ, në të cilën Ezelini III Romano sillte në majën e shpatës së tij, shfarosje e vdekje. Por ndërkaq, Komuna e veshur me petka morti, ndjen se nuk është vetëm. Mbi të vegon Mrekullibërësi! Mekullibërësi e ruan nga qielli lirinë e qytetarëve të vet. Dhe e bën përsëri të dridhet Neronin mizor të vendit.

Kupa e krimit ishte mbushur plot e po derdhej.

Një natë të vitit 1256, ishte 13 qershor - një frat  i paepur – Luca Belludi, shkon te varri i mbrojtësit të qytetit. Në zemër ka ankth. Në buzë, britmën  zemërçjerrëse drejtuar Shenjtit për ndërmjetësim. Për dhimbë e mëshirë. Dhe e ndjen se Shenjti është përmbi qytetin e vet. Eshtrat e tij rrënqethen në fund të urnës. Ndërsa zëri i tij frymëzues - zë kreshniku në fushën e betejës - jehon fuqishëm, si premtim për ngadhënjim: “Mos ki frikë, Lukë! Në tetëditëshin e festës sime, Padova do të jetë e lirë nga shtaza e kurorëzuar e Onarës!”.

E qyteti shpëton. I mbrojtur nga Shenjti i tij!

Antoni e tha fjalën e vet… Shoku i tij besnik, e konfirmoi.

Një 7 prill i jashtëzakonshëm

Më 20 qeshor 1256, flamuri i kryqtarëve shpaloset në erë. Në duart  e fratit Chiarello të Kuvendit të Shenjtit. Era e freskët rreh palët e flamurit të Komunës. Erë lirie. Mijëra shtegtarë rrajnë te ai, që e shpëtoi qytetin.

Gjuha e gjallë e njeriut të vdekur

 Më 7 prill – të Dielën in Albis  të vitit 1263,  një urnë, më e bukura e më denja, pret  trupin e vdekur të Shenjtit, me të cilin besimtarët, tashmë jo vetëm nga Padova e rrethinat, vijojnë të takohen, t’i kërkojnë hire e të fitojnë. Pas 32 vjetësh urna hapet.

I pranishëm, Gjenerali i shtatë i Urdhërit Françeskan, Bonaventura da Bagnoreggio - i famshëm në lëmin e shkencës e të shenjtërisë. Është i pari që shikon urnën e hapur.

Trupi është hi e pluhur, po kafka - e paprekur: në të, gjuha, krejt e freskët, ngjyrë rozë, si ajo e njeriut të gjallë. Gjuha që predikoi, gjuhë që flet….

I flet Padovës e botës! E qyteti që e bëri të vetin, jeton prej disa shekujsh  nga shenjti, që tërheq këtu mijëra njerëz, nga mbarë bota, verë e dimër… Edhe – e sidomos kur botën e kërcënon pandemia… I dëgjon shtegtarët, por edhe u flet. Me gjuhën e tij të artë, që nuk vdes!

12 qershor 2021, 10:10