Kërko

Vatican News

Hungari: paraqiten video dhe himni zyrtar i Kongresit të 52-të eukaristik

Filmimi, që mund të ndiqet në You Tube, u paraqit në konferencën e shtypit të kardinalit Erdö, njëherësh me himnin zyrtar. Himni është variant i përditësuar i këngës origjinale, shkruar për Kongresin e 38-të Eukaristik, në të cilin pati marrë pjesë, si Legat papnor, edhe kardinali Pacelli. Kongresi mbahej në atmosferë tensioni, në prag të Luftës II Botërore.

R.SH. - Vatikan

Një vajzë e re, e specializuar në mjekësi, që mbështet pranë zemrës një   grua të moshuar, të sëmurë; një muzikant i ri i rock, që mban në qafë një Kryq, pavarësisht nga talljet e bashkëmoshatarëve; një meshtar i ri, që jeton çaste të vështira. Këta janë protagonistët e videos zyrtare, përgatitur për Kongresin e 52-të Eukaristik Ndërkombëtar (Iec), që do të mbahet në Budapest të Hungarisë, nga 5 deri më 12 shtatori i ardhshëm. Historia e të  rinjve, që tregohet në videon zyrtare e që mund të ndiqet në You Tube, përfundon me arritjen e tyre në katedralen e Budapestit, kushtuar Shën Shtjefnit, mbreti i parë i vendit që, në vitin njëmijë, e pagëzoi gjithë kombin.

Himni zyrtar, i vjetri e i riu

Videoja zyrtare e Kongresit u paraqit dje, 14 qershor, nga kardinali Péter  Erdö, kryeipeshkëv metropolit i Esztergom-Budapest, në një konference shtypi, gjatë së cilës Hirësia e Tij foli edhe për Himnin zyrtar. Himn njëkohësisht “i lashtë dhe i ri”, sepse “variant i përditësuar i këngës origjinale, shkruar për Kongresin Eukaristik të vitit 1938, viti i fundit në të cilin Budapesti mikpriste një ngjarje kaq të madhe. Ky Kongres, në të cilin mori pjesë, si legat papnor, kardinali Pacelli, Papa i ardhshëm Pio XII,  u mbajt në një atmosferë  tensioni e frike, sepse tashmë në horizont ndjehej fryma e keqe e Luftës II Botërore. Si himn, qe zgjedhur një këngë, e cila bënte thirrje për paqe e unitet ndërmjet popujve e kombeve. Kjo këngë u bë shumë popullore për të gjithë katolikët hungarezë, e jo vetëm, aq sa u intonua edhe gjatë Meshës, kryesuar nga Papa Françesku më 1 qershor 2019, në Shenjtëroren Sumuleu Ciuc, zonë e Rumanisë me zanafillë maxhare.

Dymbëdhjetë “ambasadorë”, dëshmitarë të Eukaristisë

Gjatë konferencës së shtypit, kardinali Erdö paraqiti edhe 12 ambasadorët Iec”, apo muzikantët, këngëtarët dhe poetët e famshëm, që do të jenë “dëshmitarë të Eukaristisë”. Për t’u kujtuar se Iec 2021 do të zhvillohet me temën “Janë në Ty të gjitha burimet e mia” (Ps. 87,7).

Prania e Papës

Në Meshën përfundimtare pritet edhe Papa Françesku i cili, që nga marsi i kaluar, gjatë një konference shtypi në fluturimin e kthimit nga shtegtimi apostolik në Irak, shprehu dëshirën për të marrë pjesë. Në program për vitin 2020, ngjarja e madhe u shty një vit për shkak të pandemisë së Covid-19.

Po kujtojmë vetëm tri strofat e para dhe refrenin e himnit zyrtar të Kongresit të 52-të eukaristik. 

Himni i Kongresit Eukaristik

(tri strofat e para)

Një pyetje e lashtë jehon:

“Ç’kuptim kanë lindje e mort?”

Në udhët ku ecim pa fund,

në jetën që s’ka horizont?

Ku të shkoj, o Zot i bekuar?

Veç Ti ke fjal’ jete t’ amshuar!

 

Erdh një njeri, me ne u bë vëlla

E dorën fort na e shtrëngoi

Ish Zemra që botën e shndriti

E Fjalën e Zotit mishëroi!

Ku të shkoj, o Zot i bekuar?

Veç Ti ke fjal’ jete t’ amshuar!

 

Ai erdhi e tha me guxim

“S’mjafton veç buka juaj!”.

Më e thellë është uria e shpirtit

Veç Zoti atë  mund ta shuaj!”

Ku të shkoj, o Zot i bekuar?

Veç Ti ke fjal’ jete t’ amshuar!

16 qershor 2021, 11:30