Kërko

Vatican News

Një tufë me vargje, në nderim të Zojës, ditën e fundit të majit!

Mblodhëm gjatë gjithë muajit të Zojës, këtë tufë me trëndafilë poetikë, për ta vënë sot, dita e fundit e Majit, mbi altarët e Kishave në Atdhe, duke i kujtuar Nënës së Krishtit se Asaj “i kushtohet p’r herë Shqypnija/Si nder të mira, ashtu nder t’kqia”.

R.SH. - Vatikan

Mblodhëm gjatë gjithë muajit të Zojës, këtë tufë me trëndafilë poetikë, për ta vënë sot, dita e fundit e Majit, mbi altarët e Kishave në Atdhe, duke i kujtuar Nënës së Krishtit se Asaj “i kushtohet p’r herë Shqypnija/Si nder të mira, ashtu nder t’kqia”.

Një tufë me vargje, në altarin e Zojës, ditën e fundit të majit!

Dante Alighieri

Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir!


Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,
mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështore
nga këshilli i amshuem cak i vendosun mirë,

ti je ajo, që natyrën njerzore
e ngrite aq, sa vetë Krijuesi unjí
me u ba krijesë e saj s'e pat për kore.

7 Në parzëm tand dash’nia u përtri,
nëpër ngrohtësi të paqes së amshueshme,
e kështu aty kjo lule pati mbí.

10 Pishtar mesdite je, në botë t' këtushme,
i dashunisë, e poshtë për njerzt e shkretë
ti shpresë je e gurrë e pashterrueshme.

13O Zojë, kaq je e madhe e vlerë ke vetë,
sa kush don hir edhe te ti s'vrapon
dëshira e tij don t'fluturojë pa fletë.

16 Me mirsinë tande ti jo veç ndihmon
atë që të lyp, por shpesh ndër të veshtira
pa t'u drejtue endè në ndihmë i shkon.

19N'ty dhimbsunija dhe në ty mëshira,
n'ty bujarija, asht bashkue te ti
e të gjitha krijesavet e mira.

Parajsa XXXIII, 1-21, përkthim i Pashko Gjeçit

 

Silvio Pellico.

“Emni i Zojës”

“T’falemi, o e para mbas Tenzot Marija,

O Drandofille, o Hyll qi ruen rrezikut,

Si diell e zgjedhne, e rrebtë porsi ushtria

Rreshtue n’báll t’anmikut”.

      

Alessandro Manzoni

Zemrës së shugurueme të Zojës së Bekueme

9…O bijtë e mi ktu eni,

(Na thrret kshtû e lumja Zojë)

Kush t’më th’rrase mue në nevojë

Un ndihmen kurr s’ia ndal.

 

10 Rreth meje t’tanë shtrengohi

Nen hije t’ême eni,

Pse n’çdo rrezik qi t’keni

Un zot gjithmonë ju dal”.

Përkthye Atë Gjergj Fishta, marrë nga Vallja e Parrizit, Shkoder, shtypshkroja A, Gj. Fishta, 1941, fq 107, 109

 

Giosue Carducci

Kisha e Polento-s

(fragment)

Heshtin delet në kullotë

e treten

muzgu ngjyrë rozë

e kaltërsia!

 

Flladi fryn lehtë

e gjeth’t nisin

e këndojnë:

“Ave Maria!”.

 

 Përkthim i lirë T. D.

 

Trilussa: Marisë

Kur isha fëmijë nana më përsëriste

Një këshillë të mirë e t’ambël pambarim:

“Provo e thueje, pra ‘i falemimëri,

E shpirti yt do të çohet fluturim

Edhe do të kapet në qiell si për magji!

 

Tashti koha kaloi – e s’jam ma i ri

E plaka ime kahmot ka shkue me fjetë

Me që veten e ndiej të zhytun në vetmi

Marisë i lutem butë, ambël edhe qetë,

E shpirti fluturon sakaq në lartësi!

Përkthim i lirë T. D.

 

Mari, frymëmarrje e shpirtit

Kur qielli puthi tokën, lindi Maria,

që  në gjuhën e njerëzve do të thotë diell.

E ambla,  e buta, e mbushun me hire,

e para frymëmarrje e shpirtit të mirë,

e fryma e fundit - kur ngjitesh në qiell!

 

Alda Merini

Përkthim i lirë T. D.

 

Mos thuej…

Mos thuej “Falemimëri

Nëse nuk  t’ gëzon Fjala e Zotit!

E as “hirplote”, në se

s’i njeh dhuratat e Atit.

Mos thuej “Zoti â’ me ty”,

Nëse  Zotin s’e ndjen pranë,

E as “bekue”mos thuej

Nëse s’i beson shëlbimit!

E nana e Zotit mos thuej

Kur s’ do të sillesh si bir,

Mos thuej “lutu për ne”

Nëse të afërmin  s’e do,

E as mëkatnor, mos bërtit

Me të ndigjue anekand,

Kur sheh n’ sy të tjetrit kashtën

e jo traun në synin tand! 

Në fill t’ mordes mos thuej

nëse nuk beson me fe

se Ajo asht portë e re!

 

 

Giuseppe Ungaretti

Nana

Kur zemra me rrahjen e fundit,

murin e hijes ka për ta rrëzue,

te Zoti do t’ më të prish përsëri,

o Nanë prap dorën tue më shtri! 

Përkthim i lirshëm T. D.

 

Atë Aleks Baçli

Dhantia

Tok’s s’zez’ lule i kerkova

Për Ty, o Nan’ Hyjnore,

Lterin por kund s’ta gjeta,

Veshk’, lulet m’ran’ prej dore.

 

 Lodja loden s’ma priti

 Tue përcjell’ dnes’t e mia:

 Për Majin Tand t’lulzuemin,

 O Nan, k’to kjen’dhantia.

 Botime Françeskane

 

Atë Donat Kurti

Mos na lësho!

“Bylbyl kqyr, n’kujtim t’kësaj dite

Për pá n’dá bashkë t’këndojmë n’hare:

“T’falem Mëri, o Nanë e jona,

Mos na lësho, Zojë, rri me ne!”.

 Botime Françeskane

 

Atë Gjergj Fishta

Të grishun për muej të majit

.. Pra ksajë Virgjen fatamire

Qi â’ e kulluet si rrezja e diellit

Të tanë gaz e të tanë hire,

Nanë e Hy’it e Nanë e Kshillit,

T’i kushtohet p’r herë Shqypnija

Si nder të mira, ashtu nder t’kqia

 Atë Gjergj Fishta, marrë nga Vallja e Parrizit  Shkoder, shtypshkroja A. Gj. Fishta, 1941, fq 32.

 

31 maj 2021, 10:58