Maqedonia e Veriut: takim ekumenik e ndërfetar dhe Meshё falënderimi. Imzot Stojanov, "vizita Papёs një bekim për tokën tonë"
R.SH. - Vatikan
"Sa e rëndësishme është të ëndërrosh së bashku": me këtë parullë në Maqedoninë e Veriut u mbajt një takim ekumenik dhe ndërfetar, më 7 majin e kaluar, me rastin e përvjetorit të dytë të vizitës apostolike të Papёs Françeskut në Shkup. Nё nismёn organizuar nga ipeshkvi biritual i Kishës Katolike dioqezane tё Shkupit nё Maqedoni, Imzot Kiro Stojanov morën pjesë shumë të rinj katolikë, përfaqësues të Kishës Ortodokse, myslimanë dhe të tjerë që ndanë kujtimet e tyre për ditën e paharrueshme në praninë sё Papës.
Imzot Stojanov u transmetoi pjesёmarrёsve edhe përshëndetjet e Nuncit apostolik Imzot Anselmo Guido Pecorari. Nga ana e tij, prelati maqedonas nënvizoi – para pjesёmarrёsve - aktualitetin e disa prej mesazheve tё Atit të Shenjtë Bergoglio gjatë vizitës apostolike në Shkup, e mbi të gjitha "kërkimin e një të ardhme të jashtëzakonshme me Zotin"; më pas propozoi qё t'i dërgohet një letër falënderimi Papës, duke theksuar se si "vizita e tij apostolike ishte një bekim i madh për tokën tonë" Maqedoninё e Veriut.
Në dëshmitë e të rinjve spikati përshtypja e tyre për "thjeshtësinë, përulësinë dhe qetësinë që Papa Françesku transmetoi" dhe fakti se si "farat e dashurisё bamirëse të krishterë që janё mbjellë gjatë vizitës sё Papёs vazhdojnё të rriten nё vend".
Kremtimet e përvjetorit të dytë të vizitës sё Papёs vazhduan në Shkup me kremtimin e një Meshe falënderimi në Kishёn Katedralen të "Zemrёs sё Krishtit”, kryesuar gjithnjë nga ipeshkvi vendas Imzot Kiro Stojanov, i cili i kujtoi mesazhet kryesore të fjalimeve të Papёs Françesku mbajtur gjatë vizitës apostolike në Shkup, "pasurinë fetare dhe etnike të Maqedonisë" si dhe "angazhimin e vendit ballkanik për të mirëpritur e ndihmuar migrantët e shumtë nga Lindja e Mesme".
Ipeshkvi i Shkupit Imzot Kiro Stojanov kujtoi edhe figurën madhore tё Shёn Nënë Terezës, e cila ka lindur pikёrisht në kryeqytetin e sotёm të Maqedonisë së Veriut (asokohe nёn Perandorinë Otomane), dhe inkurajoi familjet tё ndjekin shembullin e Familjes së Shenjtë të Nazaretit. "Sot ne falënderojmë Zotin për ngjarjen historike tё vizitёs sё Papёs dhe pёr dhuratën e madhe qё patёm pasardhësin e Pjetrit nё tokën tonë të torturuar për ta bekuar atë, për tё na përforcuar në fe dhe për të na inkurajuar që të jemi dëshmitarë të krishterë të besueshëm ".