Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

“Paqja me ju!” Në këtë të diel pas Pashkëve, që shën Gjon Pali II deshi t’ia kushtojë Mëshirës Hyjnore, Jezu Krishti u bën apostujve e, edhe besimtarëve të të gjitha kohrave, dhuratën e paqes. I dërgon apostujt nëpër botë, me Shpirtin Shenjt, për të falur mëkatet e pendestarëve e i quan të lum ata, që besojnë pa prekur me dorë. Feja është hir, është lëshim pa kushte në duart e Zotit. Na bashkon me Të, na tregon udhën e vërtetë të shpëtimit e na çliron nga ankthi e dyshimi. Feja na larton nga jeta materiale e na bën qënie shpirtërore, duke na mbushur me gëzimin qiellor: këtë na thotë Ungjilli i sotëm, marrë nga kreu 20 i shën Gjonit. Le ta ndjekim…

R.SH. - Vatikan

19 Në mbrëmje po të asaj dite - të parën ditë të javës - ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. 21 Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. 22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! 23 Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”. 24 Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Binjak - nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. 25 I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duar të tij vrajën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj”. 26 Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 27 Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” 28 Toma iu përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!” 29 Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” 30 Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. 31 Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.

Të lutemi së bashku

Edhe ne e kemi marrë

dëshminë e atyre,

që na kanë paraprirë

dhe gëzimin e patregueshëm të takimit me Ty,

me të Kryqëzuarin e Ringjallur,

që dhuron Shpirtin Shenjt e transmeton paqen.

 

Por edhe ne, si shën Toma,

duhet të përshkojmë

udhën që çon drejt fesë

për të të njohur personalisht

si Zoti dhe Hyji ynë.

 

Nuk është e lehtë, o Zot,

ta kapërcejmë tundimin për të prekur e për të parë,

për të pasur prova të dukshme në dispozicion.

 

Nuk është kollaj, o Zot,

ta kapërcejmë murin e dyshimit,

frikën se mos kemi

një zhgënjim tjetër në jetë.

 

Nuk vjen menjëherë, o Zot,

lëshimi në duart e tua

që të na duash kështu si jemi

e të ta besojmë jetën

pa hezitime e pa u penduar.

 

E kur më në fund, ia arrijmë kësaj,

Ti na mbush me gëzim

me një paqe, që s’e njihnim më parë,

pikërisht siç bëre me apostujt.

Ti bën të gurgullojë nga thellësia e shpirtit

një burim i pashterrshëm hiri.

10 prill 2021, 08:35