Kërko

Vatican News
Zoja e Dhimbshme Zoja e Dhimbshme 

Ora e Nënës, liturgjia e dhimbjes në shpresë

Që nga shekujt e parë të epokës së krishterë, ekziston një liturgji e së Shtunës së Madhe, që e shoqëron Marinë në pritje e në heshtje të thellë. Është kremtim i ritit lindor, i pranuar edhe nga ai latin.

R. SH. - Vatikan

Ora e Marisë është liturgji e lashtë, që kremtohet mëngjesin e së Shtundes së Madhe qysh nga viti 1987, vit marian, në Bazilikën romake të Zojës së Madhe, ku u tha për herë të parë në shekullin IX, nga shenjtorët Çirili e Metodi. Gjatë kremtimit ndjekin njëri-tjetrin Psalmet, leximet dhe lutjet e shkurtëra ritmike, që në liturgjinë bizantine njihen me emrin “tropare”. Por kremtimi nuk mbahet vetëm në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Shpesh  mund të ndiqet edhe në vende të tjera, siç ndodhi dy herë në Shën Pjetër, me dëshirën e Shën Gjon Palit II, ose në kisha të tjera katedrale a famullitare. Kjo traditë rinisi përmes veprimtarive të Atë Ermanno Toniolos, meshtar i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë, drejtor i Qendrës së kulturës mariane në Romë e pedagog nderi i Fakultetit Teologjik “Marianum”. E lindur në mjedise bizantine, shndërrohet, kështu, në një fill të artë, që lidh lindjen me perëndimin.

Rit, që mund të kremtohet në mjediset shtëpiake

Sivjet, ashtu si në vitin e kaluar, për shkak të kufizimeve të imponuara  nga shkaku i pandemisë së Covid-19, Ora e Nënës, e kryesuar nga kryeprifti-kardinal Stanisav Rylko, titullar i Bazilikës së Zojës së Madhe, nuk mund të kremtohet në publik, por besimtarët ftohen ta kremtojnë në shtëpitë tyre këtë rit të shkëlqyer, përballë figures së Marisë, të ndriçuar nga ndonjë llambë a një qiri, si lexohet në libretin kushtuar kremtimeve mariane, botuar nën kujdesin e atë Toniolos. Ose duke shfletuar ndonjë ofice tjetër, ndër faqet e së cilës besimtari e gjen doemos Zojën e Dhimbshme. Nënën, që mbajti në prehër të Birin e vetëm, të sapo zbritur nga Kryqi.     

Zoja e Dhimbshme

Nuk ka dhimbje më të madhe, se ajo e nënës, që ka humbur birin. Ta përfytyrojmë dhimbjen e pafundme të Marisë:  e dinte  çka do t’i ndodhte e megjithatë u mësua ta pranonte këtë gjatë gjithë jetës, që nga çasti i Lajmërimit. Ndaj e shikon tmerrin e kryqëzimit, pa e humbur për asnjë çast  besimin se i Biri do të ringjallej. Maria besoi, në kundërshtim me çdo besim. Shpresoi,  kundër çdo shprese!

Bashkimi i Marisë me të Birin

E sot mbarë Kisha shtrëngohet rreth Saj, që bëhet urë ndërmjet të Birit e njerëzimit, ndërmjet vdekjes e jetës, në pritje të Ngjalljes. Nëse e Premtja e Madhe është Ora e Krishtit, të vdekur mbi kryq, e Shtuna e Madhe  është Ora e Marisë, që na shoqëron deri nesër, Dita e Pashkëve. E ne shikojmë në Të bashkimin e përkryer të Nënës me Birin, lidhje, që kalon përmes zemrës së saj amtare, të shporuar një herë nga “shtatë hanxharë”, siç ia pati parafolur Simeoni në tempull, e të mbushur, pastaj me  gëzimin e pashoq të ngjalljes!

03 prill 2021, 12:32