Në Haiti rrëmbehen dhjetë vetë, ndërmjet tyre, 5 meshtarë e dy murgesha
R. SH. - Vatikan
Janë pesë meshtarë katolikë, ndërmjet të cilëve dy francezë, dy rregulltare e tre laikë, viktima të një episodi të ri dhune në Haiti. Lajmin e jep Konferenca ipeshkvnore vendase, duke nënvizuar se rrëmbyesit kërkojnë një milion dollarë për lirimin e tyre. Grupi ishte në udhëtim në zonën veri- lindore të kryeqytetit Port Au Prince, kur ndodhi agresioni. Sekretari i përgjithshëm i Konferencës së rregulltarëve e rregulltareve haitiane (CHR) atë Gilbert Peltrop, në një komunikatë, kujton emrat e dhjetë të rrëmbyerve. Shtatë rregulltarët janë: atë Evens Joseph, atë Michel Briand (me kombësi franceze), atë Jean Nicaisse Milien, atë Joël Thomas, atë Hugues Baptiste, motra Anne Marie Dorcélus e motra Agnès Bordeau (edhe ajo franceze). U shtohen edhe tre anëtarë të familjes së atë Arnel Joseph; e ëma, Oxane Dorcélus; e motra, Lovely Joseph dhe nuni, Welder Joly.
Krizë e pafundme në Haiti
Vendi karaibik, që zë rreth një të tretën e ishullit Hispaniola, në Antile, po kalon një periudhë krize të rëndë ekonomike, politike e shoqërore, që rrezikon të shpërthejë, duke shkaktuar revolta të reja. Prej kohe tronditet nga rrëmbime e krime të dhunshme, që ndodhin në kushtet e një klime, e cila ka shkaktuar gjatë 15 vjetëve të fundit, 15 uragane, tërmete e epidemi. Ngjarje, pasuar nga një emergjencë humanitare e jashtëzakonshme, që vijon edhe sot e kësaj dite, pavarësisht nga mobilizimi i bashkësisë ndërkombëtare. Posaçërisht tërmeti i 12 janarit 2010 e gjunjëzoi të gjithë vendin. Kjo lëkundje prej 7 ballësh, më se 11 vjet më parë, shkaktoi së paku 200 mijë të vdekur, shifër që, sipas disa vlerësimeve të tjera, arrin në një gjysëm milioni.
Nxitja e ipeshkvijve për të reaguar
Shtatë klerikët, sipas një agjencie të shtypit vendas, u rrëmbyen nga një bandë famëkeqe kriminale. “Kombi duhet të ngrihet i tëri në këmbë për t’i luftuar këto episode”-komenton atë Gilbert Peltrop, sekretar i përgjithshëm i Konferencës haitiane. Ngjarja ndodhi dy javë pas rrëmbimit të një pastori, shoqëruar me tre vetë të tjerë, nga ana e bandave të armatosura. Haiti ka rreth 10 milionë banorë, prej të cilëve, 70% në varfëri të plotë. Është kështu, një nga vendet më të varfëra të kontinentit, që e ka në plan të parë edhe problemin e migrimit.
Një mur i ri
Sipas statistikave, rreth 500 mijë migrantë haitianë jetojnë sot në Republikën Domenikane, shumica ilegalisht. Presidenti i Republikës domenikane, Luis Abinader, muajin e kaluar njoftoi se do të ndërtohet një rrethim prej 380 kilometrash në kufirin me Haitin, për të zgjidhur problemet e migrimit ilegal, trafikut të drogës dhe qarkullimit të autove të vjedhura. Gjatë kufirit ndërmjet dy vendeve karaibike, që ndajnë ishullin Hispaniola, ekzitojnë prej kohe edhe dy pengesa të tjera.