Lutje gjatë Javës së Madhe Lutje gjatë Javës së Madhe 

Në Haiti rrëmbehen dhjetë vetë, ndërmjet tyre, 5 meshtarë e dy murgesha

Në Haiti vijon sekuestrimi i njerëzve. Këtë herë në shenjestër ishte Kisha katolike. Burime të ndryshme flasin për një shpërblesë prej një milion dollarësh. Konferenca vendase e rregulltarëve dhe rregulltareve e nxit vendin t’i japë fund atmosferës së dhunës.

R. SH. - Vatikan

Janë pesë meshtarë katolikë, ndërmjet të cilëve dy francezë, dy rregulltare e tre laikë, viktima të një episodi të ri dhune në Haiti. Lajmin e jep Konferenca ipeshkvnore vendase, duke nënvizuar se rrëmbyesit kërkojnë  një milion dollarë për lirimin e tyre. Grupi ishte në udhëtim në zonën veri- lindore të kryeqytetit Port Au Prince, kur ndodhi agresioni. Sekretari i përgjithshëm i Konferencës së rregulltarëve e rregulltareve haitiane (CHR) atë Gilbert Peltrop, në një komunikatë, kujton emrat e dhjetë të rrëmbyerve. Shtatë rregulltarët janë: atë Evens Joseph, atë Michel Briand (me kombësi franceze), atë Jean Nicaisse Milien, atë Joël Thomas, atë Hugues Baptiste, motra Anne Marie Dorcélus e motra Agnès Bordeau (edhe ajo franceze). U shtohen edhe tre anëtarë të familjes së atë Arnel Joseph; e ëma, Oxane Dorcélus; e motra, Lovely Joseph dhe nuni, Welder Joly.

Krizë e pafundme në Haiti

Vendi karaibik, që zë rreth një të tretën e ishullit Hispaniola, në Antile, po kalon një periudhë krize të rëndë ekonomike, politike e shoqërore, që rrezikon të shpërthejë, duke shkaktuar revolta të reja. Prej kohe tronditet nga rrëmbime e krime të dhunshme, që ndodhin në kushtet e një klime, e cila ka shkaktuar gjatë 15 vjetëve të fundit, 15 uragane, tërmete e epidemi. Ngjarje, pasuar nga një emergjencë humanitare e jashtëzakonshme, që vijon edhe sot e kësaj dite, pavarësisht nga mobilizimi i bashkësisë ndërkombëtare. Posaçërisht tërmeti i 12 janarit 2010 e gjunjëzoi të gjithë vendin. Kjo lëkundje prej 7 ballësh, më se 11 vjet më parë, shkaktoi së paku 200 mijë të vdekur, shifër që, sipas disa vlerësimeve të tjera, arrin në një gjysëm milioni.

Nxitja e ipeshkvijve për të reaguar

Shtatë klerikët, sipas një agjencie të shtypit vendas, u rrëmbyen nga një bandë famëkeqe kriminale. “Kombi duhet të ngrihet i tëri në këmbë për t’i luftuar këto episode”-komenton atë Gilbert Peltrop, sekretar i përgjithshëm i Konferencës haitiane. Ngjarja ndodhi dy javë pas rrëmbimit të një pastori, shoqëruar me tre vetë të tjerë, nga ana e bandave të armatosura. Haiti ka rreth 10 milionë banorë, prej të cilëve, 70% në varfëri të plotë. Është kështu, një nga vendet më të varfëra të kontinentit, që e ka në plan të parë edhe problemin e migrimit.

Një mur i ri

Sipas statistikave, rreth 500 mijë migrantë haitianë jetojnë sot në Republikën Domenikane, shumica ilegalisht. Presidenti i Republikës domenikane, Luis Abinader, muajin e kaluar njoftoi se do të ndërtohet një rrethim prej 380 kilometrash në kufirin me Haitin, për të zgjidhur problemet e migrimit ilegal, trafikut të drogës dhe qarkullimit të autove të vjedhura. Gjatë kufirit ndërmjet dy vendeve karaibike, që ndajnë ishullin Hispaniola, ekzitojnë prej kohe edhe dy pengesa të tjera.

12 prill 2021, 13:08