Kërko

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës II pas Krishtlindjes

“E Fjala u bë njeri e erdhi të banojë ndër ne”. Ungjilli i sotëm, marrë nga kreu i parë i Shën Gjonit, na paraqet atmosferën, që secili e ka në shpirt, në këtë të Diel II pas Krishtlindjes. Është lindur Biri i Hyjit, ai që u dërgua për ta shpëtuar botën e për ta kthyer njerëzimin në udhën e Zotit. Por, të ndjekim pjesën ungjillore...

R.SH. - Vatikan

1 Në fillim ishte Fjala

e Fjala ishte në Hyjin

e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë

e pa Të nuk u bë asgjë.

E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën

e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë

e errësira nuk e pushtoi…

9 Drita e vërtetë

që shndrit çdo njeri,

erdhi në botë.

10 Ishte në botë

e bota u krijua prej Saj,

e bota nuk e njohu.

11 Erdhi ndër të vetët,

e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

u dha zotësinë

të bëhen bijtë e Hyjit:

atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit

as gjaku

as prirja e mishit

as prirja e njeriut

por - Hyji.

14 E Fjala u bë njeri

e banoi ndër ne.

Ne e pamë lavdinë e tij,

atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm

plot hir e të vërtetë.

Të lutemi së bashku:

Ti na do o Atë, me një dashuri të padëgjuar,

nuk të mjaftoi t’i dëftoheshe Izraelit

si Ai, që liron e shpëton

nga shtypja e skllavëria;

e nuk të mjaftoi as

t’u thuash gjithë njerëzve fjalën tënde,

për të rizgjuar besnikërinë e tyre ndaj besëlidhjes.

Në plotësinë e kohrave, Ti deshe

që Urtia e amshuar,

Fjala krijuese, Fjala e jetës,

Biri yt i vetëm, i parëlinduri,

të bëhej njeri si ne

që secili t’i ndiente deri në thellësitë e shpirtit

afërsinë dhe dhuratat e tua,

dhembshurinë tënde të pamasë,

mëshirën tënde të pashoqe.

Ne s’mund të hyjmë kurrë kaq thellë

në këtë mister,

ne nuk do të arrijmë kurrë ta kuptojmë

ëmbëlsinë e kësaj së vërtete.

Por diçka mund të bëjmë, që tani:

të lëshohemi në duart e hirit tënd,

të zhytemi thellë në oqeanin e mirësisë tënde pa kufi,

duke lënë të bjerë çdo barrierë,

duke hequr dorë nga çdo rezistencë,

për t’u bërë krijesa të reja,

të shndritura nga drita jote,

të përshkuara nga vetë jeta jote,

të shndërruara nga falja jote,

të rilindura në shpresën, që nuk zhgënjen kurrë.

02 janar 2021, 08:54