Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës II pas Krishtlindjes
R.SH. - Vatikan
1 Në fillim ishte Fjala
e Fjala ishte në Hyjin
e Fjala ishte Hyj.
2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.
3 Prej Saj u bë çdo gjë
e pa Të nuk u bë asgjë.
E çdo gjë që u bë,
4 e pati në Të jetën
e Jeta është drita e njerëzve;
5 e Drita shndriti në errësirë
e errësira nuk e pushtoi…
9 Drita e vërtetë
që shndrit çdo njeri,
erdhi në botë.
10 Ishte në botë
e bota u krijua prej Saj,
e bota nuk e njohu.
11 Erdhi ndër të vetët,
e të tijtë nuk e pranuan.
12 Atyre që e pranuan
u dha zotësinë
të bëhen bijtë e Hyjit:
atyre që besojnë në Emrin e tij.
13 Këta s’i bëri bij të Hyjit
as gjaku
as prirja e mishit
as prirja e njeriut
por - Hyji.
14 E Fjala u bë njeri
e banoi ndër ne.
Ne e pamë lavdinë e tij,
atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm
plot hir e të vërtetë.
Të lutemi së bashku:
Ti na do o Atë, me një dashuri të padëgjuar,
nuk të mjaftoi t’i dëftoheshe Izraelit
si Ai, që liron e shpëton
nga shtypja e skllavëria;
e nuk të mjaftoi as
t’u thuash gjithë njerëzve fjalën tënde,
për të rizgjuar besnikërinë e tyre ndaj besëlidhjes.
Në plotësinë e kohrave, Ti deshe
që Urtia e amshuar,
Fjala krijuese, Fjala e jetës,
Biri yt i vetëm, i parëlinduri,
të bëhej njeri si ne
që secili t’i ndiente deri në thellësitë e shpirtit
afërsinë dhe dhuratat e tua,
dhembshurinë tënde të pamasë,
mëshirën tënde të pashoqe.
Ne s’mund të hyjmë kurrë kaq thellë
në këtë mister,
ne nuk do të arrijmë kurrë ta kuptojmë
ëmbëlsinë e kësaj së vërtete.
Por diçka mund të bëjmë, që tani:
të lëshohemi në duart e hirit tënd,
të zhytemi thellë në oqeanin e mirësisë tënde pa kufi,
duke lënë të bjerë çdo barrierë,
duke hequr dorë nga çdo rezistencë,
për t’u bërë krijesa të reja,
të shndritura nga drita jote,
të përshkuara nga vetë jeta jote,
të shndërruara nga falja jote,
të rilindura në shpresën, që nuk zhgënjen kurrë.