Nëna e Zotit, dogma në art
R. SH. - Vatikan
Një sfidë, për ta pasqyruar në figura misterin e Virgjërës, që sjell në botë Shëlbuesin. Arti diti ta realizojë, në funksion të Biblia Pauperum, që nga shekulli VI, kur nisi të përhapet ikonografia e Theotokos, Nënës së Zotit, duke e shprehur me figura dogmën e shpallur nga Koncili i Efezit i vitit 431.
Nga Greqia e lashtë, tek katakombat
Ikona paratipike është e ashtuquajtura Platytera o Blachernitissa, që ndodhet në Bazilikën e Kostandinopojës. Njihet si Virgjëra e Shenjës; krahët i ka të hapur e mban, në qendër të figurës së Saj, Foshnjën që bekon. “Nëna e Shenjës” - shpjegon për Vatikan News ikonografi don Gianluca Busi, famullitar e pedagog pranë Fakultetit Teologjik të Emilia Romagnas - bazohet mbi dy modele: i pari ndodhet në Katakombat e Priscill-ës e quhet “Maria në lutje”. Është fjala për një figurë të veshur me purpur, me duart e ngritura lart në formë “u”-je, në shenjë lutjeje.
Modeli i dytë duhet të jetë “vegimtarja e mistereve eleuzine”, riteve fetare, që kremtoheshin çdo vit në Shenjtoren e Demetrës, në qytetin e lashtë grek Eleusi.
Virgjëra e Shenjës, ndërmjet Lindjes e Perëndimit
Nëse vegimtarja pagane me duart e shtrira për të prekur pëllëmbët e hyjnisë ishte simbol i ekstazës, edhe Virgjëra lidhet me misterin e Zotit, “por kjo lidhje - vijon don Busi - merr kuptim të krishterë, përmes lindjes së Birit të Zotit. Foshnja vendoset brenda një rrethi të praruar, apo klipeo. Ikonografia e Virgjërës së Shenjtë vijoi të përdorej nga Kisha ortodokse edhe pas skizmës së vitit 1054 e deri në ditët tona.
Shkolla italiane
Ndërkaq në Perëndim Nëna e Zotit paraqitet në forma të ndryshme. Rënia e Kostandinopojës më 1204 u bë shkak për krijimin e një diaspore mjeshtrash bizantinë, që erdhën në Itali e, në kontakt me teologjinë paraskolastike, krijuan të ashtuquajturën shkollë italiane. U krijua, atëhere, edhe modeli i “Zojës së Lindjes”, që nisi të pikturohej rreth shekujve XII e XIII.
Libri e profecia
“Këto figure, që fillimish nuk u përhapën aq shpejt - kujton don Gianluca Busi - e paraqesin Nënën e Zotit shtatzënë, të ulur ose në këmbë, me barkun që bie menjëherë në sy. Zoja ka në dorë një libër të hapur, me profecinë e Isaisë: “Zoti vetë do t’ju japë një shenjë, Ja: Virgjëra do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë, që do ta thërrasë Emmanuel (Is 7, 14). Shpesh përbri Marisë pikturoheshin dhe dy vazo me zëmbakë, simbol i Jezusit e edhe i virgjërisë.
Piero della Francesca
“Zoja e lindjes” më e famshme, është afresku i pikturuar ndërmjet viteve 1455 e 1465 nga Piero della Francesca, per Varrezën e Monterchi-t, në provincën e Sienës. Në pikturën, konsideruar një nga shprehjet më të larta të Rinascimento-s, Virgjëra është shtatzënë, në këmbë, në qendër të baldakinit e me dorën e djathtë ledhaton e mbron barkun. Në dy krahët e saj janë dy engjëj, që hapin perden për t’u krijuar besimtarëve mundësinë që ta kundrojnë Marinë. “Kjo Zojë - vëren Gianluca Busi- ashtu siç lindi Jezusin, sot do të rilindë për jetën e pasosur, amshimin, bijtë e saj në shpirt, domethënë, të gjithë ata, që pushojnë në varrezën e Monterchi-t”.
Arti, Vasha e liturgjia
Janë figura që e prekin menjëherë në zemër e në shpirt atë, që i sodit këto piktura të cilat, në rrjedhë shekujsh, e sollën si të gjallë para syve tonë, Nënën e Zotit. Vepra të afta për t’u vënë në shërbim të liturgjisë e për të zhdukur çdo pengesë ndërmjet besimtarit e domethënies së dogmës. Kështu piktura u krijoi besimtarëve mundësinë për t’i kuptuar më mirë e më thellë tekstet liturgjike e për t’i shndërruar në figura, që i kupton lehtë gjithkush.