Nëna e Zotit Nëna e Zotit 

Nëna e Zotit, dogma në art

Më 1 janar, në përfundim të tetëditshes së Krishtlindjes, Kisha kremton solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit. Dogma u shpall në përfundim të Koncilit të Efezit, më 11 tetor 431. Arti nisi ta pasqyrojë menjëherë këtë të vërtetë feje, duke ia zbuluar thellësitë teologjike edhe popullit të thjeshtë.

R. SH. - Vatikan

Një sfidë, për ta pasqyruar në figura misterin e Virgjërës, që sjell në botë Shëlbuesin. Arti diti ta realizojë, në funksion të Biblia Pauperum,  që nga shekulli VI, kur nisi të përhapet ikonografia e Theotokos, Nënës së Zotit, duke e shprehur me figura dogmën e shpallur nga Koncili i Efezit i vitit 431.

Nga Greqia e lashtë, tek katakombat

Ikona paratipike është e ashtuquajtura Platytera o Blachernitissa, që ndodhet në Bazilikën e Kostandinopojës. Njihet si Virgjëra e Shenjës; krahët i ka të hapur e mban, në qendër të figurës së Saj, Foshnjën që bekon. “Nëna e Shenjës” - shpjegon për Vatikan News ikonografi don Gianluca Busi, famullitar e pedagog pranë Fakultetit Teologjik të Emilia Romagnas - bazohet mbi dy modele: i pari ndodhet në Katakombat e Priscill-ës e quhet “Maria në lutje”. Është fjala për një figurë të veshur me purpur, me duart e ngritura lart në formë “u”-je, në shenjë lutjeje.

Modeli i dytë duhet të jetë “vegimtarja e mistereve eleuzine”, riteve fetare, që kremtoheshin çdo vit në Shenjtoren e Demetrës, në qytetin e lashtë grek Eleusi.

Zoja e Shenjës, ikonë sllavo-maqedonase
Zoja e Shenjës, ikonë sllavo-maqedonase

Virgjëra e Shenjës, ndërmjet Lindjes e Perëndimit

Nëse vegimtarja pagane me duart e shtrira për të prekur pëllëmbët e hyjnisë ishte simbol i ekstazës, edhe Virgjëra lidhet me misterin e Zotit, “por kjo lidhje - vijon don Busi -  merr kuptim të krishterë, përmes lindjes së Birit të Zotit. Foshnja vendoset brenda një rrethi të praruar, apo klipeo.  Ikonografia e Virgjërës së Shenjtë vijoi të përdorej nga Kisha ortodokse  edhe pas skizmës së vitit 1054 e deri në ditët tona.

Shën Maria. Nëna e Zotit - Zoja e Shenjës, ikonë sllavo-maqedonase (shek. XVII-XVIII), Muzetë e Vatikanit
Shën Maria. Nëna e Zotit - Zoja e Shenjës, ikonë sllavo-maqedonase (shek. XVII-XVIII), Muzetë e Vatikanit

Shkolla italiane

Ndërkaq në Perëndim Nëna e Zotit paraqitet në forma të ndryshme. Rënia e Kostandinopojës më 1204 u bë shkak për krijimin e një diaspore mjeshtrash bizantinë, që erdhën në Itali e, në kontakt me teologjinë paraskolastike, krijuan të ashtuquajturën shkollë italiane. U krijua, atëhere, edhe modeli  i “Zojës së Lindjes”, që nisi të pikturohej rreth shekujve XII e XIII.

Nardo di Cione, Zoja e Lindjes,1355-60, Muzeo Bandini, Fiesole
Nardo di Cione, Zoja e Lindjes,1355-60, Muzeo Bandini, Fiesole

 Libri e profecia

“Këto figure, që fillimish nuk u përhapën aq shpejt - kujton  don Gianluca Busi - e paraqesin Nënën e Zotit shtatzënë, të ulur ose në këmbë, me  barkun që bie menjëherë në sy. Zoja ka në dorë një libër të hapur, me profecinë e Isaisë: “Zoti vetë do t’ju japë një shenjë, Ja: Virgjëra do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë, që do ta thërrasë Emmanuel  (Is 7, 14). Shpesh përbri Marisë pikturoheshin dhe  dy vazo me zëmbakë, simbol i Jezusit e edhe i virgjërisë.

Taddeo Gaddi, Zoja e Lindjes, shek. XIV., Kisha e Shën Françeskut, Firenze
Taddeo Gaddi, Zoja e Lindjes, shek. XIV., Kisha e Shën Françeskut, Firenze

 Piero della Francesca

“Zoja e lindjes” më e famshme, është afresku i pikturuar ndërmjet viteve 1455 e 1465 nga Piero della Francesca, per Varrezën e Monterchi-t, në provincën e Sienës. Në pikturën, konsideruar një nga shprehjet më të larta  të Rinascimento-s, Virgjëra është shtatzënë, në këmbë, në qendër të baldakinit e me dorën e djathtë ledhaton e mbron barkun. Në dy krahët e saj janë dy engjëj, që  hapin perden për t’u krijuar besimtarëve mundësinë që ta kundrojnë  Marinë. “Kjo Zojë - vëren Gianluca Busi- ashtu siç lindi Jezusin, sot do të rilindë për jetën e pasosur, amshimin, bijtë e saj në shpirt, domethënë, të gjithë ata, që pushojnë në varrezën e Monterchi-t”.

Piero della Francesca, Zoja e Lindjes, afresk, 1455, Monterchi (AR)
Piero della Francesca, Zoja e Lindjes, afresk, 1455, Monterchi (AR)

Arti, Vasha e liturgjia

Janë  figura që e prekin menjëherë në zemër e në shpirt atë, që i sodit këto piktura të cilat, në rrjedhë shekujsh,  e sollën si të gjallë para syve tonë, Nënën e Zotit. Vepra të afta për t’u vënë në shërbim të liturgjisë e për të zhdukur çdo pengesë ndërmjet besimtarit e domethënies së dogmës. Kështu piktura  u krijoi besimtarëve mundësinë për t’i kuptuar më mirë e më thellë tekstet liturgjike e për t’i shndërruar në  figura, që i kupton lehtë gjithkush.

 

02 janar 2021, 16:00