Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Gjonit, “po ti, a më do?”

Përfundojmë sot komentin e Letrës I të Gjonit. Javën e kaluar, pjesa që komentuam vinte në pah kërkesën që i krishteri të japë jetën për miqtë, vëllezërit, për gjithë botën, nëse dëshiron vërtet të ndjekë Krishtin. Më pas, shën Gjoni na jep shenja për të na mbështetur në këtë besim e për t’i dhënë kështu përgjigje edhe Cerintit, frymëzuesit të atyre të krishterëve, që nuk arrinin as ta mendonin se Fjala u bë njeri në Krishtin. Ndjekim, si gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në Letrën I të tij, shën Gjoni shpreh hapur mendimet, që përbëjnë përgjigjen për dyshimet tona e për teoritë e Cerintit:

“Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. Kështu, tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme” (1 Gjn 5,6-8).

Kujt mendon se mund të ndahet misteri i Krishtit, se mund të ndahet njeriu nga Zoti, Logos-i nga korpi, Shpirti nga gjaku, shën Gjoni i përsërit se kjo nuk është e mundur, pasi dëshmia është e përbashkët, në pajtim me njëri-tjetrin. Jezu Krishti erdhi jo vetëm përmes ujit të pagëzimit, por edhe përmes gjakut të Kryqit e, shpirti i pagëzimit i bashkonte këto elemente dhe e përgatiste këtë mister. Lavdi e kryqi nuk ndahen, sepse gjaku i derdhur nuk është për poshtërim e as për shpërblim, por është manifestim i Dashurisë më të lartë.  

Shën Gjoni e pati kuptuar këtë nën kryq, kur në një çast të vetëm, mundi t’i shihte të bashkuar të trija elementet: shpirtin, ujin e gjakun.

“Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha: ‘Gjithçka u krye! Uli kryet e dha shpirt… Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë. Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë” (Gjn 19,30.32-34).

Ndoshta, pikërisht në atë çast, shën Gjoni rilindi vërtet në Krishtin. Me siguri ka qenë një lloj shigjetimi, sikur t’i kishte rënë rrufeja. Zhytur thellë në terrin e vdekjes së Atij, që e donte fort, në një çast të vetëm, kapi një dritë të re, në gjendje ta shndërronte e ta shndriste çdo sekondë të kaluar së bashku me Jezusin. E ja sërish, dëshmia e shën Gjonit:

“Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni. Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit Shenjt: ‘Asnjë asht nuk do t’i thyhet’  E në një vend tjetër Shkrimi Shenjt thotë: ‘Do ta shohim Atë që shporuan’” (Gjn 19,35-37).

Mbërrijmë me vështirësi e, edhe pak të lodhur, në fund të 5 kapitujve të Letrës I të Gjonit. Nuk duhet mohuar se vetëm në dukje, ka natyrën e një letre familjare, drejtuar bashkësisë së krishterë, për ta këshilluar e mësuar. Kërkon vëmendje të veçantë e kohë për ta kapur atë dritë, që e përshkon tejendanë. E në fund të fundit, ndoshta, na propozon të njëjtën pyetje, që Jezu Krishti u bën dishepujve të vet, në të gjitha kohrat: “po ti, a më do?” Na takon ne të përgjigjemi si shën Pjetri i shkretë a si shën Gjoni, dishepulli i zgjedhur!

28 janar 2021, 10:28