Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Gjonit, Fjala u bë njeri

Komentojmë edhe në emisionin e sotëm Letrën I të Gjonit, duke rimarrë në dorë reflektimin e javës së kaluar, në të cilin shpjeguam fjalën “Logos”, përdorur për herë të parë e të vetme në Besëlidhjen e Re pikërisht nga shën Gjoni. Ai “Logos”, që vë në rregull çdo gjë, siç del nga kuptimi në greqisht e hebraisht, në këtë Letër bëhet diçka, madje, Dikush, Krishti. Por, ky shndërrim lëkund me forcë themelet e mendimit grek, i cili sheh diçka të nivelit filozofik të mishëruar në një trup njerëzor. Pikërisht për këtë arsye, nga disa të krishterë, kjo konsiderohet si një lloj blasfemie, siç nënvizon meshtari italian don Federico Tartaglia, në librin “Është ora e leximit të Biblës”, që po ndjekim në këtë rubrikë.

R.SH. - Vatikan

Mendimi grek i kohës së shën Gjonit nuk gjente asgjë fisnike a të amshuar në mishin e trupit njerëzor. “Logos” dhe “sarx” (mish) janë pafundësisht larg nga njëri-tjetri. Kjo antinomi është gati e papranueshme dhe teologjisë së ardhshme do t’i duhet të përballet gjithnjë me të çara, që përpiqen ta hedhin poshtë krejt ndërtesën, mbi të cilën ngrihet edhe mendimi i shën Gjonit në Letrën I të tij.

Kjo është edhe arsyeja e Letrës. U duhej dhënë përgjigje disa të krishterëve të bashkësisë, të cilët predikonin se më shumë se Fjalë (Logos), Jezu Krishti ishte njeri si gjithë të tjerët, me të cilin Fjala hyjnore ishte bashkuar në çastin e Pagëzimit. Dimë edhe emrin e frymëzuesit të tyre, falë njërit prej Etërve të Kishës, Ireneut, i cili përmend një farë Cerinti.

Qoftë ajo e Cerintit apo e një grupi judeasish gnostikë e ndjekës të docetizmit (që mohon natyrën trupore e njerëzore të Krishtit), herezia, që po mundohej të luftonte shën Gjoni, i bashkonte të tërë në mohimin e korpit, të trupit, të mishit, pra, të faktit se Jezusi ishte njeri me mish e me gjak. Shkandull, për disa! Askush nuk dyshonte për “Logos”-in, shkandull ishte “Logos”-i i bërë “sarx”, pra, Fjala e bërë njeri.

 “Logos”-i, zanafillë e ligjeve të studiuara nga fizika, u bë njeri, u mishërua, prandaj, për këta njerëz, u ndrydh, u reduktua, u zvogëlua, u bë i zakonshëm! E me termat e logjikës: absoluti u bë relativ, universali, pra, i përgjithshmi u bë i përveçëm. Filozofëve nuk do t’ua kishte marrë kurrë mendja se mund të arrihej në këtë pikë.

 E ja atëherë, armiqtë:

“Prej nesh dolën, por nuk ishin prej tanëve. Sepse, të kishin qenë prej tanëve, do të kishin qëndruar me ne, por duhej të shfaqej se jo të gjithë ishin tanët” (1 Gjn 2,19).

Gjoni nuk përmend emra as bën akuza. Gjithçka shndërrohet në pastërtinë e formave: drita e hijet, e vërteta dhe gënjeshtra, drejtësia dhe mashtrimi. Gjithçka bëhet kundërshti e pashërueshme, një dallim gjithnjë e më i thellë ndërmjet bijve të Zotit dhe bijve të djallit. Por, më tepër sesa në doktrinë, ndarjet duken në drejtësi.

 Le ta shpjegojmë pak kuptimin e kësaj fjale. Drejtësia (tek shën Pali apostull, shfajësim apo justifikim) është fryt i fesë, sepse i drejti është lindur prej Zotit. Prandaj, kush është i lindur prej Zotit nuk bën mëkat. Mëkati të kujton urdhërimin e Tënzot. Mëkat do të thotë të mos duash.

“Kush thotë: ‘Jam në dritë’, por e urren të vëllanë, ai mbetet deri tani në errësirë. Kush e do vëllanë e vet, ai është vazhdimisht në dritë, në të s’ka asgjë që ta bëjë të gabojë” (1 Gjn 2,9-10).

E pastaj, edhe më i vendosur:

“Kushdo e urren të vëllanë, është vrastar” (1 Gjn 3,15).

 Kushdo që dëshiron të hyjë në botën e shën Gjonit e të bashkësisë së tij duhet t’i harrojë ato ngjyrime, pas të cilave fshehim pasigurinë dhe pavendosmërinë tonë. Sigurisht, një mendim i tillë mund të na frikësojë, por duhet të kujtojmë se Letra nuk synon aq të na transmetojë doktrina për t’i mësuar e përsëritur, por dëshiron të na përçojë një përvojë, ose, duke e përkthyer me gjuhën e shën Gjonit, të na transmetojë ripërtëritje, shndritje, deri në një banesë të re. Letra I e Gjonit bën përpjekje të vazhdueshme për të na kthyer në atë dhomë të fshehtësisë së shpirtit, ku, për herë të parë, na u zbulua dashuria më e madhe, siç lexojmë në Ungjillin e katërt:

“Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë. Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim” (Gjn 15,13-15).

E jehona e atyre fjalëve të Jezu Krishtit, shprehet kështu në Letrën I të Gjonit:

“Me këtë gjë e njohëm dashurinë: Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër” (1 Gjn 3,16).

Të japim jetën! Për miqtë, vëllezërit, për gjithë botën. Këtë dëshiron shën Gjoni që ne ta kuptojmë mirë. E shën Gjoni na jep shenja për të na mbështetur në fe e për t’i dhënë kështu përgjigje edhe Cerintit. Por këto do t’i shohim të enjten e ardhshme.

21 janar 2021, 08:37