Kërko

Taizé, filloi Takimi vjetor evropian, në transmetim të drejtpërdrejtë në internet

Do të jetë i pari Vit i Ri në internet, propozuar nga Vëllezërit e Taizé-së. Sivjet, takimi tradicional i organizuar nga bashkësia ekumenike franceze do të ishte mbajtur në qytetin italian të Torinos, ku do të shkonin rreth 15 mijë të rinj, por pandemia i bëri të mblidhen në internet. Si zakonisht, takimi ka filluar më 27 dhjetor e do të vazhdojë për gjithë javën, deri pas Vitit të Ri.

R.SH. - Vatikan

Me krijimtari dhe frymë përshtatjeje, bashkësia e Taizé-së, e përtërirë edhe nga inkurajimi i Papës Françesku, që sapo i dërgoi një mesazh, shfrytëzon mundësitë, që i jep bota dixhitale, për të ruajtur lidhjet me grupet e krijuara në gjithë botën. Takimi tradicional i fundvitit - i cili duhej të ishte mbajtur në Torino të Italisë – zhvillohet tani në internet.

Programi me të gjitha veprimtaritë, që kanë filluar dje, më 27 dhjetor e do të vijojnë deri më 1 janar, mund të shihet në kanalin Youtube të Taizé-së dhe lidhjet e ndryshme do të publikohen në faqen e internetit www.taize.fr. Reflektimet biblike për lutjen tradicionale të të rinjve publikohen në anglisht me titra në frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, portugalisht dhe polonisht. Takimet në grupet e vogla do të jenë në anglisht me përkthime në tri ose katër gjuhë të tjera. Frère David, një nga përgjegjësit për mikritjen e të rinjve, shpjegon si u mendua kjo formë eksperimentale e Takimit të Taizé-së.

Transmetimi në internet

 “Që në mars, në fillim të pandemisë, kur na u desh të mos prisnim më askënd në Taizé, menduam se ishte e rëndësishme t’i mbështesim lutjet e shumë njerëzve”, për të cilët bashkësia është pikë referimi, nënvizon ai. “Kështu, filluam transmetimin e lutjeve drejtpërdrejt nga Taizé dhe pamë se shumë njerëz i ndiqnin, pak të befasuar nga kjo mënyrë, por edhe të lumtur për këtë. Të gjithë ishin mbyllur në shtëpi dhe na thanë se takimi ditor i lutjes përbënte strumbullarin e ditës së tyre, që organizohej pikërisht rreth tij”. Për këtë arsye, bashkësia e Taizè-së mendoi se ishte e nevojshme të vijohej në këtë udhë. Gjatë vitit, fretërit ekumenikë të krishterë botuan disa çaste reflektimi biblik.

Nën shenjën e shpresës

E tani, Takimi i fundvitit, gjithnjë në internet, zhvillohet nën shenjën e shpresës. “Pamë krizën, shpërthimin e saj, vështirësitë – pohon frère David. – E megjithatë, të rinjtë u vunë në lëvizje për të ndihmuar të afërmit e për të jetuar vëllazërimin. E kjo është e dukshme”. Tjetër shenjë shprese është qëndrimi i tyre ndaj ekologjisë, ndaj migrantëve, të cilëve u kushtohet një nga seminaret e këtyre ditëve. Edhe tema e pandemisë shihet me syrin rinor të atij, që dëshiron ta kthejë konkurrencën në bashkëpunim, sidomos kur është fjala për shëndetin publik. E të rinjtë do të flasin edhe për përvojën e tyre brenda Kishës. Janë parashikuar ndërhyrje nga Shqipëria, Vendet e Ulta, Filipinet, Gana, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga Shqipëria do të marrë pjesë popi ortodoks Joan Lena, që jeton në Amsterdam. Do të flasë më 30 dhjetor, në takimin e orës 15.00. Ndërsa më 31 dhjetor, gjithnjë në orën 15.00, takimi në grupe të vogla do të udhëhiqet edhe nga motra shqiptare Sonila Meta, prej kohësh një nga murgeshat katolike të Shën Andreut, që ndihmojnë fretërit e Taizé-së. Dialogu ndërmjet feve dhe kulturës është një nga tiparet dalluese të përshpirtërisë së Taizé-së. “Vëllazërimi, për të cilin flet Papa Françesku në enciklikën ‘Fratelli tutti’ – nënvizon frère David – nuk është vlerë vetëm për katolikët”.

Prodhohen biskota për t’u vetëfinanciuar gjatë pandemisë

Bashkësia e Taizé-së përbëhet nga rreth 60 fretër e 35 vullnetarë. Jeton me punën e vet. Ka një laborator qeramike, ku prodhohen e shiten objekte të bëra prej fretërve. Por, pandemia ua ndryshoi planet, pasi njerëzit nuk mund të shkonin më në Taizé për të blerë qeramikat. Kështu, bashkësia vendosi të prodhojë biskota për t’i shitur në tregjet më të afërta, pasi të vetmet dyqane hapur ishin pikërisht ato ushqimore. E njerëzit që blejnë, shpjegon së fundi frère David, edhe kur nuk shkojnë në kishë, janë gati të bisedojnë për fenë e madje, edhe të kërkojnë një lutje, derisa vjen dita që të ulen edhe ata në gjunjë para Zotit.

28 dhjetor 2020, 11:45