Kërko

Vatican News
Papa Françesku pret në audiencë  Vëllain Alois të Tezesë Papa Françesku pret në audiencë Vëllain Alois të Tezesë 

Françesku të rinjve të Tezesë: mos mbillni mosbesim, por shpresë

Mesazhi i Papës të rinjve të Bashkësisë franceze, të cilët që nesër, 27 dhjetor, do të mblidhen virtualisht për takimin e tyre të 43-të evropian të fundvitit

R. SH. - Vatikan

E fortë dhe e rëndësishme kërkesa e Papës drejtuar të rinjve të Tezesë: “Nuk duhet të jeni ndërmjet atyre, që mbjellin dëshpërimin, që ngjallin mosbesimin, i cili do ta neutralizonte forcën dhe shpresën, që na dhurohet nga Shpirti i Krishtit të Ngjallur”. Papa i fton të jetojnë me këtë shpresë, e cila u jep guxim ta ndjekin Krishtin, të punojnë së bashku për e me më të pafatët. Posaçërisht me ata, që luftojnë për të përballuar vështirësitë e së sotmes”.

Afërsia e Papës me të rinjtë

Të rinjve të Bashkësisë Ekumenike të Tezesë, të cilët që nesër e deri më 1 janar do të mblidhen online për takimin e tyre të 43-të evropian të fundvitit, Françesku u dërgon mesazhin e tij, të nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit. “Papa - lexohet në tekst -  është i lum që këtë vit do të bashkohet me ju në mendim e në lutje”. E quan provë krijimtarie e imagjinate këtë takim Françesku mbasi, ndonëse larg njëri tjetrin, gjithsesi të rinjtë janë të lidhur “në një mënyrë krejt krijuese, falë mjeteve të reja të komunikimit”.

Shpresoni në kohën e favorshme e të pafavorshme

Papa i uron të rinjtë që këto ditë, kur luten së bashku dhe e mbështesin njëri-tjetrin në fe e në shpresë, t’i ndihmojnë për të shpresuar “në kohën e favorshme të pafavorshme”, ashtu si nënvizohet edhe në mesazhin e vëllait  Alois, epror i Bashkësisë, që do t’i shoqërojë gjatë gjithë vitit 2021.

 Të vijojë ecja në rrugë e shpresës

Vetë fakti - vijon mesazhi- që të rinjtë takohen “edhe pse në mënyrë virtuale” i vë në ecje në udhën e shpresës. Ashtu si i fton Papa përmes enciklikës Fratelli tutti: “Askush nuk mund ta përballojë jetën i izoluar. Ka nevojë për një bashkësi, që e mbështet, e ndihmon e nxit të ecë përpara”. Prej këndej, ftesa drejtuar pjesëmarrësve për të shpresuar, sepse shpresa të jep guxim të shikosh përtej rehatisë personale, sigurive të vogla që e ngushtojnë horizontin, për të ndjekur ideale të mëdha, që e bëjnë jetën më të bukur e më dinjitoze. “Të ecim në shpresë! Uroj që gjatë këtij viti - është urimi përfundimtar i Papës - ta vijoni zhvillimin e kulturës së  takimit e të vëllazërimit e të ecni së bashku drejt këtij horizonti shprese që na e zbulon ngjallja e Krishtit”.

26 dhjetor 2020, 14:53