24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Mërkura II e Kohës së Ardhjes!
Ta pushtojmë botën me Dritën e Zotit, duke e kaluar shtëpi në shtëpi, dorë në dorë, zemër në zemër…
“Ashtu si Ai na zgjodhi ne - ne do t’ju zgjedhim ju e ju do të zgjidhni të tjerët: e Drita e Zotit do ta pushtojë botën - Drita - jo terri. Errësira do të tmerrohet e do të rrogomiset në vrimat e zeza të amshimit”…
Zëri i Profetit, që jehon nga thellësitë e kohës, vijon të na premtojë:
Zoti ka për t’i fshirë lotët nga çdo fytyrë;
“Zoti Hyj ka për t’i fshirë lotët nga çdo fytyrë;
ka për ta shlyer nga mbarë vendi gjendjen e poshtërimit të popullit të tij,
sepse Zoti e foli fjalën e vet.
E atë ditë ka për t’u thënë:
‘Ja Hyu ynë;
në të shpresuam se do të na shpëtonte;
ky është Zoti, në të cilin e ngulëm shpresën;
të gëzohemi e të galdojmë për shpëtimin që na vjen prej Tij;
sepse dora e Zotit do të pushojë mbi vatrat tona
mbi shpirtrat tonë!” (Is 25, 6-10)
Jezusi do ta shndrisë rrugën tonë
E Jezusi do ta shndrisë rrugën tonë. Krishti është shpresë për shpirtin, edhe atëhere kur të gjitha shpresat duken si të humbura. Kur sëmundja të pushton e ta mposht trupin. E ti kujton se ky nuk mund të jetë tjetër, veçse fundi i fundit! Është çasti më kritik i jetës që duket se ikën e humbet në hapësirat e panjohura të kohës. Po ti nuk duhet të harrosh kurrë se në trupin e vdekshëm ke shpirtin e pavdekshëm të Zotit. Të Atij, të cilin e pret të vijë këto ditë! E Shpirti i Tij është i patundur e do të ta sigurojë jetën - sepse ti shpreson në Të, po Ai shpreson edhe më shumë në në ty!
Ai që ti e pret këto ditë, e që do të lindë në Shpellën e Betlehemit, është shkëmb i përjetshëm!
Atij i lutemi në këto ditë pritjeje: “Përgatite me fuqi tënde zemrën tonë, që të mund të të takojmë e të marrim pjesë me ndërgjegje të mirë, të pastër në gostinë e jetës, në Krishtlindjen e përhershme!”.
Ta pushtojmë, pra, botën me Dritën e Zotit, duke e kaluar shtëpi në shtëpi, dorë në dorë, zemër në zemër…