Drita e Zotit Drita e Zotit 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Mërkura II e Kohës së Ardhjes!

E Mërkura II e Kohës së Ardhjes. Ta pushtojmë botën me Dritën e Zotit, duke e kaluar shtëpi në shtëpi, dorë më dorë, zemër në zemër…

Ta pushtojmë botën me Dritën e Zotit, duke e kaluar shtëpi në shtëpi, dorë në dorë, zemër në zemër…

 “Ashtu si Ai na zgjodhi ne - ne do t’ju zgjedhim ju e ju do të zgjidhni të tjerët: e Drita  e Zotit do ta pushtojë botën - Drita - jo terri. Errësira do të tmerrohet e do të rrogomiset në vrimat e zeza të amshimit”…

Zëri i Profetit,  që jehon nga thellësitë e kohës, vijon të na premtojë:

Zoti ka për t’i fshirë lotët nga çdo fytyrë;

“Zoti Hyj ka për t’i fshirë lotët nga çdo fytyrë;

ka për ta shlyer nga mbarë vendi gjendjen e poshtërimit të popullit të tij,

sepse Zoti e foli fjalën e vet.

E atë ditë ka për t’u thënë:

‘Ja Hyu ynë;

në të shpresuam se do të na shpëtonte;

ky është Zoti, në të cilin e ngulëm shpresën;

të gëzohemi e të galdojmë për shpëtimin që na vjen prej Tij;

sepse dora e Zotit do të pushojë mbi vatrat tona

mbi shpirtrat tonë!” (Is 25, 6-10)

Jezusi do ta shndrisë rrugën tonë

E Jezusi do ta shndrisë rrugën tonë. Krishti është shpresë për shpirtin,  edhe atëhere kur të gjitha shpresat duken si të humbura. Kur sëmundja të pushton e ta mposht trupin. E ti kujton se ky nuk mund të jetë tjetër, veçse fundi i fundit! Është çasti më kritik i jetës që duket se ikën e humbet në hapësirat e panjohura të kohës. Po ti nuk duhet të harrosh kurrë se në trupin e vdekshëm ke shpirtin e pavdekshëm të Zotit. Të Atij, të cilin e pret të vijë këto ditë! E Shpirti i Tij është i patundur e do të ta sigurojë jetën - sepse ti shpreson në Të, po Ai shpreson edhe më shumë në në ty!

Ai që ti e pret këto ditë, e që do të lindë në Shpellën e Betlehemit, është shkëmb i përjetshëm!

Atij i lutemi në këto ditë pritjeje: “Përgatite  me fuqi tënde zemrën tonë, që të mund  të të takojmë  e të marrim pjesë me ndërgjegje të mirë,  të pastër në gostinë e jetës, në Krishtlindjen e përhershme!”.  

Ta pushtojmë, pra, botën me Dritën e Zotit, duke e kaluar shtëpi në shtëpi, dorë në dorë, zemër në zemër…

09 dhjetor 2020, 10:39