24 mendime për Kohën e Ardhjes: dita e VI e Kohës së Ardhjes!
R.SH. - Vatikan
“Në të sosur të ditëve
mali i tempullit të Zotit
do të lartohet përmbi majat e maleve
e do të jetë më i lartë se kodrat.
Drejt tij do të rrâjnë të gjitha fiset,
do të vijnë shumë popuj e do të thonë:
‘Ejani e t’i ngjitemi
malit të Zotit,
kah tempulli i Hyjit të Jakobit,
që të na dëftojë rrugët e veta
e të ecim duke rrahur rrugët e tija’”.
(Nga Libri i Izaisë Profet, 2, 1-4)
“Ejani e t’i ngjitemi malit të Zotit! Ta shndërrojmë jetën në ylber - nësa ecim drejt amshimit. T’i marrim ngjyrat më të bukura e të pikturojmë me ta një botë të re, të vërtetë, duke e zhdukur nga skajet e skutat e zemrave tona ngjyrën e zezë të mortit, që vijon të derdhë pa kursim pandemia mbi fytyrën e njerëzimit...
E këtë botë mund ta krijojnë vetëm ata që e kanë shpirtin e shqetë, që pranojnë se janë të varfër e të papërkryer, që presin ardhjen e Dikujt… Atij, që është shumë më i madh se vetvetja jonë e varfër, që është shpëtim e Shpëtimtar.
Shpirti ynë pret Zotin. Atë që vjen në një botë të vjetër, për të rilidhur Besën e re me njeriun:
“Besë të re vjen t’ lidhë t’amshuar,
Ta shpëtojë atë pré të pushtuar
Atë, që ferri e mbante në thonj!
Ja pse lind një Foshnjë e njomë,
pse një Djalë na vjen nga qielli,
kur qerpiku i veton
përmbi botë shkëlqen prap Dielli!”