Kërko

Vatican News

CCEE, Bagnasco: besojmë në një Evropë, familje solidare

Në përfundim të asamblesë së përgjithshme të Këshillit të të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), kreu i tij, kardinali Angelo Bagnasco, nënvizon për Vatican News se vetëm shpresa është feneri i Evropës pas pandemisë. E Shpresa është Krishti.

R.SH. - Vatikan

Ishin 35, kryetarët e Konferencave Ipeshkvore të vendeve të ndryshme evropiane, që u mblodhën virtualisht në asamblenë e tyre të përgjithshme, me temë: “Kisha në Evropë pas pandemisë. Perspektivat për gjithësinë dhe për bashkësitë”. Ndër çështjet e trajtuara, pandemia dhe pasojat e kësaj krize, jo vetëm ato shëndetësore. Por edhe një reflektim mbi ndikimin e saj në fushën fetare, baritore dhe ekologjike. Takimi, i planifikuar fillimisht në Pragë, u mbajt në internet për shkak të keqësimit të gjendjes së infektimeve me koronavirus në Republikën Çeke. Fjalimin përfundimtar e mbajti kardinali Angelo Bagnasco, kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), i cili, në një koment për Vatican News, përvijon argumentet kryesore të trajtuara në videokonferencë.

Mesazhi i ipeshkvijve të Evropës

 Mesazhi i miratuar në fund të asamblesë së përgjithshme, vë në dukje kardinali Bagnasco, na kujton se feneri i Evropës është shpresa. E ky, shton ai, nuk është “një mesazh fetar i përgjithshëm”, sepse “shpresa është Krishti”. Përsa i përket pandemisë, prelati përshkruan skenarët e ngjashëm të përjetuar në gjithë kontinentin, si: pamundësia për të marrë pjesë në meshë e për t’u kunguar, por edhe dëshmia e përkushtimit të forcave të rendit, punonjësve shëndetësorë, vullnetarëve, meshtarëve e të gjithë besimtarëve. Solidariteti i jashtëzakonshëm, thekson më pas kardinali, “ishte përgjigjja më e zakonshme”, e aftë të krijojë “një rrjet vërtet të admirueshëm bamirësie, ndihme dhe solidariteti”.

Në Evropë, shenja ndryshimi

 Përsa i përket Evropës, kardinali Bagnasco vë në dukje vështirësitë, që të gjithë mund t’i vërejnë. “Fuqimisht – thekson ai - besojmë dhe shpresojmë që të ketë një udhë, ku të ecim më të bashkuar”. “Kjo nuk është shpresë e pabazuar”. Kjo shpresë, pohon kardinali, rrjedh nga kumti i Ungjillit, por i ka rrënjët edhe në “rrjetin e solidaritetit popullor”, që është “pasuri e madhe, hir i madh, premtim i madh për rrugëtimin e përbashkët”. Bashkimi Evropian e jo vetëm ai, po jep edhe “shenja pozitive për ndryshime në drejtimin e solidaritetit dhe të vëmendjes më të madhe për të gjitha vendet, veçanërisht për ato, që kanë më tepër vështirësi”. “Pasi fillimisht e kuptoi ngadalë gjendjen, Bashkimi Evropian hodhi më pas hapa më të shpejta, pati një ndryshim”. “Evropa - përfundon kardinali Bagnasco - mund të dalë e kthyer kah Zoti” nga kriza aktuale.

28 shtator 2020, 11:41