Kërko

1585936051088.jpg

Papa Françesku u kërkon ipeshkvijve të Evropës fantazi në bamirësi

“Vdekja e sa e sa të moshuarve, drama e familjeve të befasuara nga dhimbja e madhe dhe kërcënuese, drama e fëmijëve dhe e të rinjve të mbyllur në shtëpi, pezullimi i riteve fetare dhe i kurseve të formimit të krishterë, i kanë nxitur shumë meshtarë dhe rregulltarë të gjejnë udhë të guximshme në shërbimin baritor, duke dëshmuar afërsinë atërore me njerëzit, në dhimbje". Papa Françesku u dërgoi një mesazh ipeshkvijve të Evropës, mbledhur në asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të kontinentit të vjetër (CCEE)

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku u dërgoi një mesazh ipeshkvijve të Evropës, mbledhur në asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të kontinentit të vjetër (CCEE), e cila mbahet më 25 e 26 shtator, në mënyrë virtuale, për shkak të keqësimit të gjendjes së të sëmurëve me koronavirus në Republikën Çeke. Ati i Shenjtë shpreh menjëherë vlerësimin për temën e zgjedhur: “Kisha në Evropë pas pandemisë. Perspektivat për gjithësinë dhe për bashkësitë”, duke uruar që Kisha të japë një kontribut të rëndësishëm për besimtarët evropianë në këtë drejtim.

         “Përvoja e pandemisë – shkruan Papa Françesku - na preku të gjithëve deri në thellësi të shpirtit, sepse minoi dramatikisht një nga kërkesat strukturore të jetës, atë të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve dhe në shoqëri, duke shpërfytyruar kështu zakone dhe raporte, që ndryshuan edhe kushtet e jetës shoqërore e ekonomike. Vetë jeta kishtare u cënua jo pak, duke na detyruar ta rishikojmë praktikën fetare: shumë veprimtari baritore janë ende në pritje të normalizimit”.

         “Vdekja e sa e sa të moshuarve, drama e familjeve të befasuara nga dhimbja e madhe dhe kërcënuese, drama e fëmijëve dhe e të rinjve të mbyllur në shtëpi, pezullimi i riteve fetare dhe i kurseve të formimit të krishterë, i kanë nxitur shumë meshtarë dhe rregulltarë të gjejnë udhë të guximshme në shërbimin baritor, duke dëshmuar afërsinë atërore në dhimbje me njerëzit. Përballë formave të reja të varfërisë, është e nevojshme që kjo fantazi e bamirësisë të vazhdojë, duke treguar afërsi gjithnjë e më të madhe e më bujare me më nevojtarët”.

“Bashkësitë e krishtera – përfundon Papa - janë të thirrura ta interpretojnë shpirtërisht gjithçka përjetuan, që të marrin mësim nga jeta dhe t’i dallojnë perspektivat për të ardhmen. Është fjala për të përvetësuar qëndrimin e skribës, të shkruesit, që nxjerr gjëra të reja dhe të lashta nga thesari i tij”, citon Ati i Shenjtë kreun 13 të Ungjillit sipas Mateut, para se të lutet për ipeshkvijtë, duke ua besuar ata Zojës e Shenjtorëve Pajtorë të Evropës.

25 shtator 2020, 15:00